Çka përdorin të rinjtë si mjet informimi?

Ilustrim

http://www.evropaelire.org/externalaudio-FLRM/Audio/972962.html

Për t’u informuar, përdorimi i internetit është bërë domosdoshmëri e një dite rutinë për të rinjtë kosovarë. Por, ata, përpos internetit për t’u informuar përdorin edhe radion, televizorin, si dhe gazetat.

Për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa nga ta thonë se në të shumtën e rasteve klikojnë portalet e shumta në internet për të marrë informacione ditore.

Muhamet Berisha thotë se si mjet informimi shfrytëzon më së shumti internetin.

“Më së shumti e shfrytëzoj internetin dhe gazetat. Për shkak të kohës që kam, televizionet nuk i shikoj shumë”, thotë Muhameti.

Ndërkaq, Valmira, studente e Fakultetit Juridik, tregon se çka shfrytëzon ajo si mjet informimi:

“Më shumë telefonin përmes internetit, por edhe gazetat”.

Derisa Minire Krasniqi thotë se gjatë ditës ajo informohet përmes gjitha mjeteve të informimit, varësisht se ku gjendet.

“Gjitha nga pak. Edhe nëpërmjet televizioneve, edhe agjencitë, por edhe gazetat kur kam kohë, kur janë temat më atraktive, varësisht nga koha”, shprehet Minirja.

Edhe Bashkim Morina, jep mendimin e tij:

“Internetin, portalet, televizionet, pa përjashtuar edhe radion”.

Sidoqoftë, një gjendje jo të mirë të lirisë së mediave në Kosovë, e ka raportuar organizata ndërkombëtare “Freedom House”, në raportin e fundit të saj. Në raport është thënë se mediat në Kosovë vazhdojnë të jenë pjesërisht të lira.

Por, për atë se sa u besojnë të rinjtë mjeteve të informimit, flet Besa Jonuzi:

“Unë i shfrytëzoj portalet e shumta që janë në Kosovë. Por, varet për çka do të informohem. Radion më shumë për emisione argëtuese me të rinj, e edhe për muzikë, por televizorin gjithsesi për shkak se pamjet vizuele flasin se çka ka ndodhur. Por, për të qenë e informuar për çdo gjë, portalet e ndryshme”.

Ndryshe, me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Shtypit, këtë vit presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se “të drejtat themelore të njeriut, që përfshijnë edhe lirinë e shprehjes, janë të mishëruara dhe të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe ato duhet të gjejnë zbatim të plotë në shoqërinë tonë”.

E, të rinjtë thonë se për informacione ditore të shpejta i shfrytëzojnë portalet e shumta kosovare, por, siç shprehen, jo gjithmonë u besojnë atyre.

“Internetin normal. Portalet gjithsesi, por jo gjithmonë janë të besueshme. Iu besoj portaleve 50 me 50 . Ka shkrime pa emër, pa burime, e që të bëjnë të dyshosh në besueshmërinë e shkrimit. Më shumë radion dhe televizorin”, thotë Linda, gazetare me profesion.

Ndërkaq, Nora Luta, thotë se televizori është ai prej nga ajo i merr informacionet, pa i përjashtuar edhe rrjetet sociale.

“Si mjet informimi më së shumti e shfrytëzoj televizorin, por edhe rrjetet sociale për marrëdhënie ndoshta miqësore”, thotë Nora.

Derisa Alban Selimi thotë se nuk përjashton ndonjë mjet informimi, por se sipas tij, varet se ku gjendet, ashtu edhe informohet.

“Si mjet informimi e shfrytëzoj telefonin, internetin, por edhe televizorin. E në veturë e shfrytëzoj radion”, tregon Albani.

Derisa Ardian Kastrati thotë se më së shumti e shfrytëzon internetin si mjet informimi:

“Më së shumti internetin dhe gazetat, derisa në veturë radion”.