Lista e përbashkët, zgjidhje apo “sherr”?

Votimet e serbëve në Graçanicë (Foto nga arkivi)

Thirrja, të cilën Qeveria e Serbisë u ka bërë serbëve të Kosovës për të dalë me një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të Kosovës, të paralajmëruara për 3 nëntor, vazhdon të jetë temë e debateve ndërmjet politikanëve serbë në Kosovë dhe në Serbi.

Milovan Dreçun, kryetar i Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zgjedhjet lokale në Kosovë duhet shikuar në planin afatgjatë, në mënyrë që, sipas tij, të mundësohet bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Ai ka theksuar se Serbia dhe serbët e Kosovës nuk duhet të konfrontohen me Uashingtonin dhe Brukselin, e posaçërisht këtë nuk duhet ta bëjnë me shqiptarët e Kosovës, për shkak se, sipas tij, Rusia nuk mund dhe nuk ka kapacitete që ta zgjidhë problemin e Kosovës në vend se këtë ta bëjë Serbia.

Megjithatë, Dreçun konsideron që në zgjedhjet lokale në Kosovë, serbët duhet të dalin me një listë të përbashkët, pas së cilës do të qëndronte Beogradi zyrtar.

Fillimisht, lista e përbashkët, në masë të madhe do t’i motivonte dhe trimëronte serbët që të dalin në zgjedhjet e Kosovës, sepse pas kësaj liste padyshim se do të qëndronte Beogradi. Së dyti, dalja me një listë të përbashkët do t’i jepte Bashkësisë së ardhshme të komunave serbe, legjitimitet të madh dhe fuqi”, ka shpjeguar Dreçun qëndrimin e Beogradit.

Në anën tjetër, Sllobodan Petroviq, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se nuk sheh ndonjë arsye për ndonjë listë shtetërore dhe paraqitje të përbashkët të serbëve, penjtë e të cilëve do t’i tërhiqte Beogradi.

Slobodan Petroviq

”Unë besoj se një gjë e tillë do të mbetet vetëm si një propozim. Është shumë e rëndësishme që qytetarët që jetojnë në këto komuna, të kenë mundësi dhe rast që të vendosin se cilët njerëz do t’i mbrojnë interesat e tyre në institucionet lokale”, ka thënë Petroviq.

Ai ka theksuar se nuk ka ndonjë arsye për një listë të përbashkët dhe për një fshehje prapa unitetit kombëtar, nëse në zgjedhjet lokale nëpër komunat me shumicë serbe partitë serbe garojnë mes vete.

Sipas tij, në komunat me shumicë serbe, këta të fundit e kanë shumicën bindëse dhe jo të ngushtë. Prandaj, siç ka thënë Petroviq, serbët vetë mund t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre, pa ndonjë frikë se në proceset e zgjedhjeve, për shkak të shpërndarjes së votave, mund të mbesin pa përfaqësues të tyre.

Ai, gjithashtu, ka theksuar se opsionet e shumta e zgjerojnë mundësinë e zgjedhjes dhe se ky është rast dhe jo rrezik për bashkësinë serbe.

Megjithatë, Milovan Dreçun shpreh arsyet se pse serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale me një listë të përbashkët:

“Lista e përbashkët do të mund t’i ikte kurthit potencial dhe real të rrezikut që Prishtina mund të shfrytëzojë disa pozicione të veta tek individët brenda popullit serb, t’i inkurajojë që ata me listat e tyre, të dalin në zgjedhje të ndarë ose t’i cytë që të jenë kundër asaj liste të përbashkët dhe në këtë mënyrë të përfitojë më shumë pushtet në Bashkësinë e ardhshme të komunave serbe”.
...serbët, të cilët deri më tash kanë marrë pjesë në jetën politike, nuk kanë arritur që në masë të dukshme ta përmirësojnë kualitetin e jetës së shumicës së popullit serb në Kosovë

“Është e dukshme që serbët, të cilët deri më tash kanë marrë pjesë në jetën politike dhe prapa të cilëve ka qëndruar Prishtina, nuk kanë arritur që në masë të dukshme ta përmirësojnë kualitetin e jetës së shumicës së popullit serb në Kosovë. Me këtë, ata e kanë diskredituar veten që në zgjedhjet e ardhshme t’i përfaqësojnë seriozisht serbët”, ka theksuar Dreçun, duke këmbëngulur se lista e përbashkët serbe, prapa së cilës do të qëndronte Beogradi, është zgjidhja më e mirë.

Por, lidhur me ato që pohon Dreçun, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Petroviq, mendon krejtësisht ndryshe.
“Këtë mund ta thotë vetëm dikush, i cili nuk i di parakushtet themelore politike në Kosovë.

“Këtë mund ta thotë vetëm dikush, i cili nuk i di parakushtet themelore politike në Kosovë. Edhe në zgjedhjet e kaluara, e ashtuquajtura Listë e Përbashkët Serbe, ka pasur dy herë më pak vota se sa që ka pasur Partia e Pavarur Liberale. Nuk dëshiroj ta ofendoj askënd, por ne jemi përfaqësuesit e bashkësisë serbe në institucionet e Kosovës dhe përgjigja më e mirë janë rezultatet që i kemi arritur gjatë këtyre viteve”, është shprehur Petroviq.

Ndryshe, kundërshtime lidhur me atë se a duhet të paraqiten serbët me një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale në Kosovë, patën shfaqur edhe liderët tjerë serbë që jetojnë në Kosovë.

Liderët serbë të veriut kanë vlerësuar se me krijimin e një liste të përbashkët, Beogradi po synon, siç kanë thënë ata, “të bëjnë një perde të mjegullt, për ta larë tradhtinë”.

Ndërkaq, liderët serbë të Kosovës qendrore, kanë vlerësuar se lista e përbashkët “do të krijonte një klimë pozitive edhe për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin qendror”.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë vlerësuar se Beogradi po bën lojë të dyfishtë dhe me një listë të përbashkët dëshiron t’i fuqizojnë serbët drejt formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila sipas tyre, nuk është caku i fundit i serbëve.(b.bislimi)