Për Ligjin mbi amnistinë te presidentja dhe Gjykata Kushtetuese

Pamje nga protesta kundër Ligjit mbi amnistinë..

Përfaqësues të shoqërisë civile i dorëzuan të premten presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, peticionin e nënshkruar nga mbi 12 mijë qytetarë, me të cilin shprehet mospajtimi i tyre me versionin e tanishëm të Ligjit për Amnistinë.

Rrjedhimisht, përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan nga presidentja që të përdorë autoritetin dhe kompetencat ligjore dhe të mos e nënshkruajë këtë ligj, para se ai të pësojë ndryshime shtesë.

Bashkë me peticionin, përfaqësuesit e disa organizatave qeveritare i kanë dorëzuar presidentes edhe një letër ku shoqëria civile pajtohet me miratimin e një Ligji për amnistinë, por se ai duhet të vlejë për integrimin e qytetarëve serbë të veriut në institucionet e Kosovës.

Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, tha para mediave se shoqëria civile nuk është kundër Ligjit për amnistinë, por kërkon që ky ligj, si një akt që derivon nga Marrëveshja me Beogradin, të vlejë vetëm për integrimin e serbëve të komunave veriore dhe të mos amnistojë edhe vepra të jashtëligjshme të kryera në pjesët tjera të vendit.

Ilir Deda gjatë protestave kundër miratimit në Kuvend të Ligjit për amnistinë

“Republika e Kroacisë ka sjell Ligj të amnistisë vetëm për serbët për integrimin e tyre, Republika e Serbisë për shqiptarët në Luginë të Preshevës, Republika e Maqedonisë ka nxjerr Ligj për amnisti për shqiptarët në Maqedoni dhe për integrim të pjesës veriore të Kosovës duhet të amnistohen ata që duan të integrohen. Nuk mund të ketë amnisti për njerëz që janë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të cilët e kanë shkelur ligjin apo të cilët janë afër partive politike”, tha Deda.

Ndërkohë, edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike tha se në emër të nënshkruesve të peticionit, i kanë kërkuar presidentes që të kthejë ligjin në Kuvend për ndryshime të mëtutjeshme.

“Ne i kërkuam presidentes që të ushtrojë kompetencat e saj kushtetuese për ta kthyer ligjin në Kuvend dhe për t’i dhënë specifikisht ato zbrazësi juridike që ne mendojmë se ky ligj i ka. Ne jemi për një ligj mbi amnistinë, i cili i arrin dhe plotëson standardet bazike të një shteti të së drejtës dhe për një ligj mbi amnistinë që nuk amniston dikë, i cili nuk është objekt i marrëveshjes Kosovë – Serbi”, u shpreh Korenica.

Më pas, përmes një komunikate me shkrim, presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit.

Ajo është zotuar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke shqyrtuar edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE.

Po sot, Lëvizja Vetëvendosje procedoi për në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për amnisti, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kërkesa Gjykatës Kushtetuese iu procedua nëpërmjet deputetes Albulena Haxhiu.

“Ne e kontestuam këtë projektligj në dy aspekte; në atë përmbajtjesor, ngase me miratimin e tij u shkelën të drejtat e njeriut, pra u shkel Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe aspekti i dytë, me miratimin e tij u shkel edhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, theksoi deputetja Haxhiu.

Dallimi ndërmjet qëndrimeve të Vetëvendosjes dhe shoqërisë civile qëndron në faktin se ky subjekt politik e ka kundërshtuar në tërësi ligjin, pasi që ai buron nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ky ligj ishte miratuar në Kuvend me dy të tretat e votave, Siç është prezantuar nga Qeveria, amnistia ka si qëllim integrimin e serbëve të veriut në kuadër të sistemit dhe institucioneve të Kosovës.