Fondi fillestar për veriun mbi 3 milionë euro

Në veri të Mitrovicës....

Sipas vlerësimeve të para të Ministrisë së Financave, shuma për krijimin e Fondit për Zhvillimin e Veriut, mund të jetë mbi 3 milionë euro. Ky fond, sipas Ministrisë, nuk do të këtë impakt në projektet tjera që financohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paratë publike, të mbledhura nga importi i mallrave që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare 1 dhe 31, e që destinohen në komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, së pari do të dërgohen në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, ku edhe regjistrohen në Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Financave në Kosovë (SIMFK) dhe pastaj, përmes Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës, do të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit, i cili do të themelohet dhe mbahet në një bankë komerciale nga Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë.

Fondi për zhvillimin e veriut është krijuar në bazë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd.

Për mbushjen e këtij fondi mund të kontribuojë edhe Republika e Serbisë, por vetëm në mënyrë transparente, duke e bërë publik qëllimin e dërgesave.