Kodi telefonik u jep fund kodeve të huazuara

Sigurimi i kodit telefonik për Kosovën, përveç arritjeve politike, do të ndikojë shumë edhe në rritjen e buxhetit të vendit, konsiderojnë ekspertë të telekomunikacionit.

Në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet se palët janë pajtuar që kodi telefonik për Kosovën të jetë +383 ose +384.

Ekspertët e telekomunikacionit konsiderojnë se humbjet milionëshe do të marrin fund nga mungesa e këtij kodi, pasi operatorët e telefonisë mobile dhe telefonisë fikse, shfrytëzojnë kode të huazuara.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos, +377, ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë, +386, kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin, +381, të Serbisë.

Adnan Merovci, njohës i çështjeve të telekomunikacionit, konsideron se pajtimi i palëve gjatë bisedimeve në Bruksel, për kodin e telefonisë, është një kompromis dhe zgjidhje e pranueshme.

“Pra, ky është një lajm i mirë dhe do t’i sjell benifite Kosovës, edhe pse aktualisht është një kod që tash për tash bazën e ka në aspektin politik, por duke ditur shkaqet e mungesës që kanë qenë politike, mendoj se është një kompromis dhe një zgjedhje e pranueshme për Kosovën”, thotë Merovci.

Në mungesë të kodit të vet, operatorët e licencuar paguajnë shuma të caktuara milionëshe për shfrytëzimin e kodeve të huazuara, thotë eksperti tjetër i telekomunikacionit, Vegim Gashi.

“Aspektet tjera për të pasur një kod të njëjtë siç e kanë të gjitha shtetet në botë, për telefoninë fikse dhe mobile, ato janë tema natyrisht të rëndësishme. Por, aspekti ekonomik është që ne paguajmë miliona euro në vit si Kosovë, për shkak të përdorimit të kodit telefonik të ofruesve të këtyre shërbimeve”, shprehet Gashi.

Në anën tjetër, në mënyrë që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, së pari duhet të anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) ose Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e pastaj të aplikojë për kodin shtetëror të telefonisë.

Për anëtarësim në këtë unionin, ekzistojnë dy mundësi: së pari anëtarësimi në OKB, e pastaj kërkesa formale për anëtarësim në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.

Ndërsa, anëtarësimi direkt në ITU, pa qenë anëtare e OKB-së, kërkon së paku 2/3 e votave të shteteve anëtare, që do të thotë rreth 190 anëtarë.

Lidhur me këtë Adnan Merovci, thotë:

“Problemi është se në preambulën e ITU-së, për këto gjëra, shprehimisht thuhet se vendet për të gëzuar një kod telefonik duhet të jetë anëtar i OKB-së, pra është çështje formale, por eliminuese për ne. Pra, Kosova nuk mund të ketë (kod telefonik). Ka forma të ndryshme, fjala vjen siç kanë qenë bisedat me Shqipërinë, jo me huazim. Por, për të pasur një kod dhe të thuhet se ky është kodi im, i Kosovës, atëherë ky ka qenë dhe ky është problemi”.

Pas marrjes së kodit, të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë do të jenë të obliguar që të përdorin kodin e ri unik, pas një periudhe të përcaktuar nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit.