WSJ: Serbia dhe Kosova, më afër BE-së

Ilustrim

Perspektiva e hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, e ka përshpejtuar shkrirjen e raporteve ndërmjet Serbisë dhe ish-provincës së saj Kosovës, e cila tash është e pavarur, por megjithatë tensionet e vjetra mbeten, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja “Wall Street Journal”, nga gazetari i saj, Laurence Norman.

Në rrugën kryesore gjarpërore nëpër kodrat malore me drunj në dalje të Gjilanit, në pjesën lindore të Kosovës, policia dhe zyrtarët e doganave nga Serbia dhe Kosova, punojnë afër njëri-tjetrit në kufirin më të ri ndërkombëtar në Evropë.

Kjo është njëra nga gjashtë pikat e kontrollit, që janë hapur prej shtatorit të vitit 2012, në kufirin e njohur nga aleatët e Kosovës në Uashington, Londër dhe Berlin.

Por, atje nuk ka flamuj që valëviten, nuk ka mbishkrime “Mirë se erdhët në Kosovë”. Ky do të ishte një hap shumë larg për Serbinë, e cila ka shprehur përkushtimin që kurrë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur para pesë vjetësh, shkruan WSJ.

Megjithatë, pikat e kontrollit janë shenjë e prekshme e shkrirjes së raporteve ndërmjet Kosovës e Beogradit, për të cilën gjë shumë besonin se ishte e pamenduar, kur Tomisllav Nikolliq, dikur aleat i ish-liderit të ndjerë, Sllobodan Millosheviq, ishte zgjedhur president para një viti.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet evropian e zhvilluan një luftë në vitin 1999, për ta detyruar zotin Millosheviq, që t’i tërheqë forcat e tij jashtë Kosovës, ku nga fushata brutale e pastrimit etnik kundër, në tërësi, shumicës myslimane, kanë mbetur të vrarë ose të zhdukur disa mijëra njerëz, ndërsa vlerësohet se 750 mijë njerëz ishin detyruar të largohen.

Kjo javë mund ta sjellë hapin më të madh deri tash kah shërimi i plagëve të hapura nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë: një thirrje për Serbinë që t’i fillojë bisedimet për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Ministrat e Bashkimit Evropian kanë rekomanduar që negociatat të fillojnë deri në janar. Liderët e BE-së pritet që këtë ta nënshkruajnë në samitin e tyre më 28 qershor, duke e shpërblyer Serbinë për hapat e saj drejt pajtimit, shkruan e përditshmja “Wall Street Journal”.

Ajo që është më e rëndësishmja, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiqi, e ka nënshkruar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE-ja, që i garanton komunitetit serb të Kosovës një autonomi të rëndësishme politike, në këmbim për njohjen e asaj që edhe në hapësirat serbe, Qeveria e Kosovës është ajo që e mban autoritetin e fundit.

Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i ofroj Kosovës lidhje më të afërta ekonomike me perspektivë për anëtarësim eventual, megjithëqë pesë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Spanjën dhe Greqinë, refuzojnë ta njohin pavarësinë e saj.

Prapëseprapë, ministrat ua kanë lënë liderëve të BE-së të vendosin nëse do të kërkojnë rikonfirmim në fund të vitit 2013, para se bisedat të fillojnë. Kjo do t’u mundësonte atyre që të mbajnë presion në të dy palët në dritën e pengesave të rëndësishme që gjenden përpara.

Prishtina dhe Beogradi, që ballafaqohen me probleme ekonomike, duhet ta implementojnë Marrëveshjen e Prillit deri në fund të vitit, me ç’rast duhet të mbahen zgjedhjet lokale në rajonet e dominuara nga serbët dhe integrimin e njësive të policisë, drejtësisë dhe atyre komunale, që financohen nga Beogradi, në institucionet e Kosovës.

Për ta bërë këtë, ata duhet të kalojnë nëpër frikë, paqartësi dhe ndonjëherë armiqësi të drejtpërdrejta të afro 100 mijë serbëve, shumica prej tyre ortodoksë të krishterë, që jetojnë në mesin e 1.8 milionë shqiptarëve të Kosovës.

“Marrëveshja e ka hapur një kaptinë të re në raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por ajo kaptinë ende nuk është shkruar”, tha Enver Hoxhaj, ministër i jashtëm i Kosovës, gjatë një interviste telefonike. “Ne i kemi humbur dy dekada. Tash është koha që realisht ta implementojmë marrëveshjen dhe të lëvizim përpara”, tha Enver Hoxhaj, shkruan WSJ .

Në qytetin e ndarë të Mitrovicës, ndërmjet veriut të dominuar nga serbët, dhe jugut nga shqiptarët, ekzistojnë pak shenja se marrëveshja e Prillit po filtrohet në jetën e përditshme, vazhdon shkrimin “Wall Street Journal”.

Në urën mbi lumin Ibër, një pengesë prej trimetërshe nga gurët dhe zhavorri, e krijuar nga serbët lokalë, simbolizon vazhdimin e ndarjes etnike. Fotografitë e politikanëve nacionalistë nga Beogradi varen së bashku me yjet e futbollit dhe të pop-muzikës serbe.

Kundërshtarët e marrëveshjes thonë se ajo ishte e detyrueshme për qeverinë e Serbisë, e mbetur pa të holla të gatshme, nga ana e aleatëve të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në.

Shumë serbë etnikë ndjejnë se nuk janë të qetë pasi marrëveshja i lë ata të varen nga siguria e policisë së Kosovës ose nga forcat ndërkombëtare, që ishin vendosur atje prej përfundimit të luftës së Kosovës, për ta ndalur dhunën sporadike.

Mund të humben edhe qindra vende të punës, kur autoritetet e financuara nga Beogradi të shkrihen në ato të Prishtinës.

BE-ja dhe zyrtarët e Kosovës thonë se kundërshtimi më i fuqishëm vjen nga serbët lokalë nacionalistë, disa prej tyre ka dyshime se mbështeten nga grupet kriminale, që janë pasuruar nga kontrabanda e karburanteve dhe prodhimeve të tjera.

Dragisha Vllashkoviq, zyrtar komunal, që mbështetet nga Beogradi, në pjesën veriore të Mitrovicës, thotë se “me gjasë, ka njerëz të tillë”. Por, ai thekson se shumica e serbëve ndjejnë se ata nuk mund ta pranojnë marrëveshjen, që i detyron ata të jetojnë nën urdhrin e Prishtinës, dhe parashikon që shumica e qytetarëve lokalë do t’i bojkotojnë zgjedhjet komunale.

“Nëse kjo marrëveshje implementohet, atëherë do të ketë një largim të qetë të serbëve nga Kosova, gjatë periudhës prej 5 e deri në 7 vite”, thotë Vllashkoviq.

Disa nga banorët lokalë thonë se ata janë të gatshëm të provojnë. Tensionet në pjesën veriore të Mitrovicës, izolimi i saj nga jugu, mungesa e sundimit të ligjit, ka kontribuar në ngritjen e papunësisë në mbi 40%.

Jeta është më e qetë në Graçanicë, një enklavë serbe në jugun e dominuar nga shqiptarët. Në këtë qytezë gjendet Manastiri nga shekulli XIV, monument historik i mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Bojan Stojanoviq, prefekt i Graçanicës, prej vitit 2010, që administrohet nga institucionet e Kosovës, thotë se lokacioni i saj ka bërë që bashkëpunimi me Prishtinën të jetë e vetmja zgjidhje.

“Ne po bëjmë çmos në punën tonë për zgjidhjen e problemeve praktike të jetës së përditshme”, thotë ai.

Sipas majorit, Frederik Sandstrom, komandant ushtarak suedez, që është pjesë e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, serbët lokalë frikësohen se do të braktisen nga Beogradi dhe do të mbeten në probleme financiare. “Kjo është ajo, që vërtet i shqetëson këta njerëz”, thotë Sandstrom, shkruan “Wall Street Journal”.

Në ambasadën tetëkatëshe të BE-së në Prishtinë, përfaqësuesi special për Kosovën, Samuel Zbogar, është i sigurt se Beogradi dhe Prishtina, me mbështetjen ndërkombëtare, do ta mbajnë marrëveshjen e Prillit në binarë, përkundër pengesave, siç ishte shkarkimi i zyrtarit të parë ndërlidhës të Kosovës në Beograd, pas dy ditësh, javën e kaluar, për parashikimin se Beogradi eventualisht duhet ta njohë Kosovën.

Serbia dhe Kosova kanë “investuar shumë kapital politik për të ardhur në këtë pikë”, tha Zbogar dhe shtoi se “nuk ka kthim prapa”, shkruan në fund të artikullit e përditshmja “Wall Street Journal”.
Përgatiti: Fatmir Bujupi