Bruksel: MSA për Kosovën, anëtarësim për Serbinë

BE

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të hapen negociatat mes BE-së dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Komisioneri evropian për Zgjerim Stefan Fuele tha të martën gjatë një konference për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm evropian në Luksemburg, se gjithçka është gati që Kosovës t’i hapet rruga për integrime evropiane.

“Ministrat janë pajtuar që të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Mandati për këto negociata është caktuar, dhe ai formalisht do të miratohet të premten, [po atë ditë] edhe do të miratohen edhe konkluzionet e Këshillit të Evropës”, ka thënë komisionari Fuele.

Sipas tij, negociatat për MSA-në me Kosovën “mund të nisin menjëherë” pasi ato të jenë adoptuar nga Këshilli i Evropës.

Serbia në anën tjetër ka marrë po ashtu vizën nga kryediplomatët e vendeve anëtare të unionit, për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Komisionari Stefan Fule tha se do të varet nga Këshilli i Evropës që të miratoj kornizën e tashme kohore nëse konferenca ndër-qeveritare do të zhvillohet “më së largu në janar të vitit të ardhshëm”.

“Por kjo nuk e përjashton mundësinë që ajo [konferenca ndër-qeveritare] të ndodh edhe më herët”, tha Fuele.

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një pajtim paraprak që të hapin negociatat me Serbinë.

Rezultati i takimit të sotëm në Luksemburg, kërkon konfirmim të liderëve evropian të cilët pritet të takohen të enjten dhe të premtën në Bruksel.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian ka përshëndetur rezultatin që kanë prodhuar kryediplomatët e vendeve anëtare të BE-së, duke e quajtur si “provë e kredibilitetit pas hapave të paprecendetë që u ndërmorën në normalizimin [e marrëdhënieve] me Kosovën”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Guido Westerwelle tha pas takimit në Luksemburg se përpjekjet e Prishtinës dhe Beogradit për të normalizuar raportet, duhet të pasojnë me një reagim nga BE-së.

Kjo do të thotë se Këshilli i Evropës këtë javë do të vendos nëse do të nxjerr një datë konkrete [për Serbinë], të cilën ne do ta mbështesnim. E tillë është situata në këtë moment. Mos prisni sot vendimin përfundimtar, sepse kurrë nuk është lajmëruar, dhe as që ishte paralajmëruar se në fund të javës do të merret vendimi në Këshillin Evropian".

"Ne vetëm japim rekomandime shefava tanë të qeverive. Kurse sa i përket Parlamentit të Gjermanisë...mendoj se kolegët e mi kanë po ashtu një qasje konstruktive për këtë temë
”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle.

Homologu i tij nga Danimarka Nikolaj Vamen tha se Kosova dhe Serbia kanë arritur përparime gjatë negociatave.

“Nga perspektiva e Danimarkës, ne kemi parë një përparim të theksuar ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë. Plaga e përgjakshme e Evropës tani po shërohet, dhe të dy shtet mund të normalizojnë raportet e tyre. Ato kanë plotësuar kërkesat që Evropa ua ka parashtruar, dhe Danimarka vlerëson se është e rëndësishme që BE-ja t’i dërgoj sinjal pozitiv atyre, dhe që sa më parë të jetë e mundur të hapen negociatat me Serbinë, dhe të ndërmerr hapat e mëtejmë për Kosovën”, tha ministri Vamen pas takimit.