Shqipëri: E majta në avantazh të thellë

Kryesocialisti Edi Rama

Në Shqipëri, ndërsa janë numëruar afër 80 për qind e kutive të votimit, rezultatet e deritanishme tregojnë se koalicioni i majtë i drejtuar nga Edi Rama, është në epërsi, raporton VOA.

Në nivel kombëtar, e majta llogaritet të jetë, sipas këtyre të dhënave, afër 16 pikë më shumë se koalicioni i djathtë, i udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha.

Opozita ka ruajtur epërsinë në 10 qarqe të vendit, me përjashtim të Kuksit. Ndërsa, në qarkun e Dibrës, ku numërimi ka përfunduar, rezultati është ndarë në mënyrë të barabartë, nga tre mandate për secilin koalicion.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, në vlerësimin e tyre paraprak, kanë thënë se zgjedhjet kanë qenë aktive dhe konkurruese, por mosbesimi mes forcave politike ka dëmtuar mjedisin.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë mbajtur të dielën.