Latifi: Përfshirje jo në nivel e grave në biznes

Hamide Latifi

Gratë duhet të jenë më aktive dhe më këmbëngulëse me qëllim të përfshirjes në biznes, thotë në intervistën e javës të Radios Evropa e Lirë, Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës joqeveritare, “Gratë në Biznes”.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Latifi, sipas shifrave zyrtare, vetëm 11 për qind e bizneseve janë në pronësi të femrave. Si e konsideroni këtë shifër, kur kemi parasysh se gjysma e popullatës janë të gjinisë femërore?


HAMIDE LATIFI
Në Kosovë, rritja e angazhimit të grave në biznes është evidente, megjithëse nuk është akoma në nivelin e duhur dhe larg përmasave, të cilave ka mundësi të jetë. Kjo për arsye se rreth 10-11 për qind e grave janë të angazhuara në biznese në Kosovë, krahas rreth 90 për qind të bizneseve që posedohen dhe menaxhohen nga burrat. Megjithatë, kjo shifër sado modeste, është e rëndësishme për arsye se çdo ditë në tregun e Kosovës po dalin biznese të reja që kanë pronare gratë dhe menaxhohen nga gratë. Ato janë biznese të vogla, të shëndosha, biznese që kanë potencial për rritje në qoftë se ato përkrahen në ambientin kosovar.


RADIO EVROPA E LIRË
Në cilin sektor janë të fokusuara më tepër gratë?


HAMIDE LATIFI
Janë në disa sektorë, e agrobiznesi dominon, domethënë kultivimi i frutave dhe perimeve, si dhe përpunimi i tyre në produkte finale. Po ashtu, pos agrobiznesit kemi edhe fushën e gatimit të ushqimit. Gatesat tradicionale tashmë janë bërë një veprimtari që po merr hov në tërë Kosovën. Po mendoj, jam e befasuar për mirë, ndonëse nuk është befasi aq e madhe, po megjithatë edhe në zonat më të vogla dhe në qytezat e Kosovës, po lindin raste të grave që kanë talent gatimin dhe po e shndërrojnë këtë talent në aktivitet, i cili iu sjell të mira materiale ose të ardhura.

Pos gatimit, kemi angazhimin e grave edhe në shërbime si kopshtet, shkollat, pastaj janë shërbimet tjera si rrobaqepësia, shërbime bukurie, kemi shtëpi botuese, kemi edhe portale informative, kemi edhe biznese online. Domethënë, është edhe fusha e tekstilit dhe bizhuterisë, edhe pse produktet e tekstilit ashtu siç po prodhohen, nuk po gjejnë treg të mirëfilltë. Ato duhet të përpunohen pak më mirë të shndërrohen në produkte suvenire në mënyrë që të gjejnë tregje më të gjera.


RADIO EVROPA E LIRË
Po, ka gra që udhëheqin kompani të mesme dhe të mëdha. Me çfarë problemesh ballafaqohen ato?


HAMIDE LATIFI
Po ka edhe disa gra, të cilat udhëheqin kompani të mesme. E kemi “ Magic ice”, që me sukses udhëhiqet nga një grua. Pastaj kemi kopshtin “Bardha”, e cila ka disa njësi në qendrën e Prishtinës, e që me aq sukses udhëhiqet nga një grua, që e ka nisur nga asgjëja dhe me investimet e saj e ka ngritur biznesin e saj. Të dy këto biznese numërojnë më shumë se 70 punëtorë, secila prej tyre.

E lidhur me atë se çfarë janë problemet e tyre, them se problemi më i madh është mungesa e kapitalit, e investimeve, të cilat mund ta ndihmojnë rritjen dhe zgjerimin e biznesit. Pastaj,ka probleme të tjera, të cilat e përcjellin biznesin. Tregu i Kosovës është treg i vogël dhe dalja në tregjet e jashtme është e domosdoshme sidomos për bizneset, të cilat janë prodhuese.

Edhe në këtë fushë ka disa telashe te aspekti i politikave doganore e etj., ku ato kanë pak më shumë vështirësi në daljen në tregjet e jashtme.


RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë formash mund të stimulohen gratë që të përfshihen në ekonomi? Kanë bërë, sipas jush, ndonjë përpjekje autoritetet kompetente?


HAMIDE LATIFI
Gratë mund të përkrahen më së shumti me investime. Investimet e kapitalit fillestar, si dhe kapitalit që ndihmon pak a shumë zgjerimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, për arsye se shumë gra vuajnë për mungesë të fondeve për ta rritur pak biznesin e tyre.

Këto fonde në qoftë se merren prej bankave, e dini – nuk po them asgjë të re – kamatat janë shumë të larta dhe gratë vështirë i përballojnë. Prandaj, u duhet ta vazhdojnë biznesin me një ritëm shumë të ngadalshëm dhe kështu e privojnë veten nga mundësia e rritjes në tregun e brendshëm dhe mundësia e daljes në tregun jashtëm, e po ashtu e privojnë edhe mundësinë e ngritjes së nivelit të punësimit ose shtimit të punëtorëve që do t’i kontribuonte shumë ekonomisë së Kosovës.

E lidhur me atë se çfarë kanë bërë autoritetet e vendit, unë mendoj se në këtë aspekt Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po angazhohet deri diku dhe janë duke bërë disa përpjekje me disa masa stimuluese me disa programe. Pritet që nga shtatori të fillojë një skemë e granteve për gratë, e cila do t’i japë një nxitje të re bizneseve të grave. Mirëpo, po ashtu, gratë duhet të jenë pak më aktive dhe më kërkuese, në mënyrë që të gjejnë rrugëzgjidhje për çështjet e tyre dhe jo gjithmonë të presin që dikush t’i kërkojë ato. Domethënë, duhet të marrin më shumë iniciativa dhe të jenë më të angazhuara për të gjetur zgjidhje.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Latifi, të kthehemi tek aktivitetet e organizatës “Gratë në biznes”, të cilën e udhëhiqni ju. Çfarë ofron kjo organizatë për gratë?


HAMIDE LATIFI
Organizata “Gratë në biznes” është organizatë që ofron përkrahje për gratë ndërmarrëse të Kosovës. Fillimisht, ajo ofron një platformë të rrjetit të bashkëpunimit të bizneseve të grave ndërmjet vete. Pastaj, avokon për këto gra ndërmarrëse dhe afariste në nivele lokale, nacionale, pse jo edhe më gjerë, te politikë-bërja, te ndarja e resurseve te donatorë dhe investitorë të ndryshëm, të cilët nuk kanë informacion dhe nuk e dinë se çka ekziston në Kosovë- domethënë plasojmë informata për to.

Po ashtu, ofrojmë edhe trajnime dhe ngritje kapacitetesh të tyre, për arsye se shumë prej tyre janë ndoshta në fazë fillestare dhe kanë nevojë ta ngritin dijen dhe kompetencën në fushën e biznesit.

Ne, momentalisht, jemi duke bërë një projekt, i cili me siguri do ta nxisë veprimtarinë biznesore të grave. Është fjala për qendrën tregtare të grave, e cila po hapet së shpejti në Prishtinë. Këtu do të vendosen fillimisht 8-12 biznese të grave, të cilat do të përzgjidhen në konkurrencë në mes të rreth 80 bizneseve sa kemi ne në rrjetin tonë.

Ne do të përzgjedhim bizneset që kanë produkt cilësor, produkt të kërkuar në treg dhe kanë potencial që të ofrojnë produktin në baza ditore për arsye se nuk jemi duke folur për një panair të një dite, po për një qendër që duhet të punojë 12 orë në ditë dhe në çdo kohë duhet të ofrojë produkt cilësor, produkt të freskët dhe të shëndetshëm.

Konsumatorët nga Prishtina dhe Kosova kanë të drejtë të ushqehen shëndetshëm, prandaj ne po përpiqemi që të kujdesemi të ofrojmë një shërbim të tillë, një produkt të tillë, për arsye se për produktet që vijnë nga gratë, ne e dimë se ku prodhohen, si prodhohen ku dhe si përpunohen.

Çdo produkt që hyn në qendër, duhet të jetë i certifikuar tek Instituti Shëndetit Publik të Kosovës, në mënyrë që të mos kemi kualitet të dobët, apo aso kualiteti, i cili mund ta dëmtojë shëndetin e qytetarëve.