14 vjet nga zbarkimi i NATO-s në Kosovë

Forcat britanike duke hyrë në Kosovë - 12 qershor 1999.

Bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje ushtarëve të KFOR-it. Me lot gëzimi në sy, me brohoritma “NATO, NATO”... I konsideronin shpëtimtarë të tyre.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Që atëherë, kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb.

Fillimisht numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Si pasojë e saj, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës.

Sot, katërmbëdhjetë vjet pas zbarkimit, janë rreth 5,600 trupa të NATO-s që vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.

Gati nëntë vjet pas zbarkimit të NATO-s, përkatësisht më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit.

Shteti i ri është njohur nga rreth 100 vende dhe është i angazhuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Për këtë qëllim, së fundmi, ka nënshkruar edhe marrëveshje me Serbinë për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve.

Dita e Lirisë së Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesë në histori. Sipas shumë vlerësimeve, 12 qershori është dita e rreshtimit të botës demokratike përkrah popullit të shtypur të Kosovës.

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe.