Sërish mospajtime rreth ratifikimit të marrëveshjes

Ilustrim

Komisioni për Legjislacion nuk ka arritur të harmonizojë qëndrimet në lidhje me Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbisë as pas ditë së dytë të shqyrtimit.

Deputetët nga ky Komision i kanë kthyer qeverisë Projektligjin me kërkesat që të harmonizoj tekstin në tri gjuhët zyrtare si dhe është kërkuar që të rishqyrtohet edhe një herë nga ekzekutivi nëse kërkohet që bashkë me marrëveshjen të ratifikohet edhe plani i zbatimit.

Kryetari i këtij Komisioni, Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Marrëveshja mund të procedohet në Kuvend për ratifikim, por jo edhe plani i zbatimit.

Andaj ai ka kërkuar sqarime shtesë nga qeveria para se të merret vendimi përfundimtar.

“Plani zbatues nuk mund të jetë objekt i ratifikimit. Ai është objekt i punës së dy qeverive, por jo objekt i ratifikimit dhe shndërrimit në akt juridik ndërkombëtar. Planet, afatet kohore janë për qeverinë e cila duhet ta zbatojë siç e ka marrë përsipër dhe t’ia prezantojë Kuvendit dhe Kuvendi të mundohet që brenda këtyre afateve kohore t’i implementojë dhe ndihmojë qeverinë. Por, jo ne ta ratifikojmë një diçka të tillë, nuk ka sens”, ka thënë Gashi.

Me interpretimin e deputetit Gashi nuk është pajtuar Behar Selimi, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se plani i zbatimit është pjesë e marrëveshjes dhe si i tillë duhet të shkojë në Kuvend për ratifikim.

“Realisht plani i zbatimit sipas të drejtës së traktateve, që është pjesë e të Drejtës Ndërkombëtare është marrëveshje, i kanë vënë inicialet ata që e kanë diskutuar, prandaj nuk mund ta shohim vetëm në atë interpretimin si vetëm pjesë operacionale, pjesë e zbatimit”, ka deklaruar Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq ka kundërshtuar jo vetëm ratifikimin e planit të zbatimit, por edhe marrëveshjen në përgjithësi.

Deputetja e Vetëvendosjes në Komisionin për Legjislacion, Albulena Haxhiu ka vlerësuar se Kuvendi nuk duhet ta ratifikoj fare marrëveshjen para se ajo të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse disa anëtarë të po këtij Komisioni thonë që kjo marrëveshje është në përputhje të plotë me Kushtetutën, ndërsa disa të tjerë kanë dyshime dhe shqetësime lidhur me këtë, atëherë për një vlerësim të plotë juridik unë mendoj që duhet ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Propozimi deputetes së Vetëvendosjes nuk është përkrahur nga kryetari dhe Komisioni, pasi që u tha se Gjykata Kushtetuese mund të jap interpretimin pasi që Kuvendi të ratifikoj marrëveshjen dhe ta vlerësojë nëse ajo është në harmoni apo jo me Kushtetutën.

Në fund, për shkak të mungesës së konsensusit rreth Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Komisioni ka kërkuar nga qeveria që deri të hënën të jap shpjegime nëse plani i zbatimit duhet përfundimisht të jetë aneks i marrëveshjes gjatë procedurës së ratifikimit apo jo.

Marrëveshja Prishtinë – Beograd e ka theksin në formimin e asociacionit të komunave serbe dhe kompetencave që do të ketë ky organ.