Maqedoni: Fyerjet si mjet i "kulturës politike"

Pamje nga Shkupi

Fjalori që tashmë një kohë të gjatë po përdoret nga partitë politike në Maqedoni tregon se kultura politike është në nivelin më të ulët të mundshëm.

Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike duke komentuar fyerjet, etiketimet e sharjet nga më të ulëta, që tanimë janë bërë përditshmëri e politikanëve nëpër tubime të ndryshme partiake, apo duke nxitur ithtarët e tyre me tubime protestuese kundër oponentëve të tyre.

Kështu ishte në protestat kundër ligjit të abortit, në manifestimet e ndryshme që tani një kohë të gjatë po zhvillohen në komunën Qendër kundër kryetarit që vjen nga radhët e opozitës, apo në tubime e mbledhje tjera partiake, ku partitë akuzojnë njëra tjetrën për tradhti, amoralitet, vjedhje e kështu me radhë.

“Kultura politike apo më mirë thënë jokultura është bërë përditshmëri, duke filluar nga çështjet më elementare. Elitat politike sillen mes tyre sikur të jenë armiq të përbetuar. Sjellja e tyre arrogante përveç ndaj kundërshtarëve politikë tani po vie në shprehje edhe ndaj organizatave joqeveritare e madje edhe ndaj vet qytetarëve".

"Kjo që po shohim ditëve tregon se jemi ende shumë larg një shoqëria të mirëfilltë. Kaluam më shumë se 20 vite në tranzicionin demokratik dhe shumë pak kemi ndryshuar“
, thotë Biljana Vankovska, profesoreshë në Universitetin e Shkupit.

Ajo thotë se kjo gjendje do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë pasi për ndryshimin e kulturës së tanishme politike, nevojitet kohë.

“Me politikanë të këtillë vështirë se diçka do të ndryshohet sikur edhe të hynin në Bashkimin Evropian pasi ndryshimi i këtij mentaliteti kërkon kohë, duhet kohë për krijimin e liderëve politikë, të një kulture të re politike për respektimin e standardeve evropiane ku në vend të parë është toleranca politike, respekti për tjetrin, qoftë edhe kur nuk pajtoheni për më shumë çështje“, thotë Vankovska.

Hasan Jashari, sociolog dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se kultura politike është në nivel të ulët dhe si e tillë nuk garanton perspektivë për qytetarët e Maqedonisë.

Kjo tregon mungesën e perspektivës së qytetarëve. Ky fjalor i egër, i ashpër, nënçmues, ofendues, nesër kalon në një katarzë si të them fizike. Kjo është një dhunë psikike, psikologjike mirëpo ajo nesër mund të kaloj edhe në dhunë fizike, do të rezulton me trazira me konflikte në mes të grupeve individëve e kështu me radhë“, thotë Jashari.

Ai shton se fajtor për këtë gjendje janë të gjitha partitë, por përgjegjësia kryesore bie mbi pushtetin i cili në mungesë të kapaciteteve për zgjidhjen e problemeve reale përdorë forma nga më të ndryshmet për zhvendosjen e mendjes në çështje tjera.

“Këtë krizë mund të themi lirisht se e krijon qeveria. Ajo tani ballafaqohet me iluzionet e veta dhe në një farë forme rrotullohet në vend, ecën në vend, pra, është ndalur ora, dhe këtë e ndiejnë qytetarët andaj edhe nuk duhet të presim punë të mençura, por do të merremi me njëri tjetrin".

"Ku është zgjidhja? Zgjidhja është që të ecet drejt integrimeve evropiane, të thithen fondet dhe qytetarëve tu krijohet hapësirë për një jetë më të mirë, më të pasur“, thotë sociologu Hasan Jashari.

Konfrontimet politike kulminacionin e arritën më 24 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend, kur u regjistruan edhe përleshjet fizike mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës, të cilët, paraprakisht shkëmbyen replika të ashpra të përcjella me sharje dhe etiketime nga më të ulëta.

Ky incident edhe sot e kësaj dite, jo që nuk është zbardhur, por ka shërbyer për vazhdimin e ofendimeve mes tyre.