IHT: Pavarësisht marrëveshjes së Kosovës, shërimi është ende larg

Veri...

Barrikada prej drurëve dhe gurëve, që bllokon urën kryesore në lumin Ibër, është vendosur atje nga serbët etnikë, si pengesë kundër fqinjëve shqiptarë, që jetojnë pak më tutje, në anën tjetër, dhe të paktën në teori, ndajnë territorin e njëjtë- Kosovën, nis një artikull International Herald Tribune.

Aty sqarohet se si pesë vjet pas pavarësisë së Kosovës, minoriteti serb në veri bën jetë paralele dhe refuzon sovranitetin e Kosovës.

“Flamujt e Serbisë valojnë me krenari. Betejat epike të përshkruara në librat e historisë dhe në këngët popullore që përhapen nga kafenetë e mbushura me njerëz reflektojnë preferencat dhe paragjykimet e Serbisë. Vetëm një minoritet i vogël i serbëve të veriut ka shkelur në Prishtinë, që gjendet vetëm një orë larg. Ata që e bëjnë një gjë të tillë janë shumë të frikësuar t’ua thonë miqve të tyre”, theksohet në artikull.

E tërë kjo, shkruan IHT, supozohet se do të ndryshojë me marrëveshjen e arritur për ndarjen e kompetencave në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nën këtë marrëveshje të arritur në prill, policia dhe gjykatat supozohet t’iu binden ligjeve të Kosovës, strukturat e drejtësisë serbe do të eliminohen dhe pagat e sektorit publik do të paguhen nga Prishtina dhe jo nga Beogradi.

Në shkëmbim strukturat komunale serbe do të ruajnë autonominë mbi çështjet si në shëndetësi, arsim e kulturë, edhe pse Prishtina dëshiron që të vendosë vulat e saj në të gjitha diplomat universitare.

Të dy palët gjithashtu duhet që deri më 15 mars të bëjnë përparim në përpjekjet për të identifikuar të zhdukurit në luftën e viteve 1998-99, luftë kjo që largoi nga Kosova forcat besnike të liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, duke lënë disa kënde, sikur ky(në veri), të dominuar me serbë.

IHT shkruan se marrëveshja, me të cilën Serbia nuk e njeh Kosovën si të pavarur, është përshëndetur nga Bashkimi Evropian, që edhe e ka ndërmjetësuar atë, si një arritje që do të ndihmojë në tejkalimin e armiqësive etnike, do sjellë stabilitet rajonal, zhvillojë ekonominë në dy territoret më të varfëra të Evropës dhe do të ndihmojë qartësimin e rrugës së tyre për në bllok.

Por, jeta e përditshme e shqiptarëve e serbëve në vendet si Mitrovica, qartëson sfidat enorme që kërcënojnë ambiciet e Brukselit.

Kryesorja ndër to është se si të fitohet mendja dhe zemra e 50 mijë serbëve të veriut, të cilët janë zotuar të rezistojnë ose të ikin, po që se marrëveshja nis së zbatuari.

Si shenjë e pengesave të tilla, një zyrtar i lartë në zyrën që jep dokumente identifikimi të Kosovë është plagosur në këmbë në vitin e kaluar, derisa shtëpitë e stafit të zyrës janë bërë cak i granatave.

Në këtë kuadër, IHT kujton thirrjen e serbëve lokalë serbë për të bojkotuar zgjedhjet komunale, që sipas marrëveshjes parashihet të mbahen në fund të tetorit.

Te tjerët thonë se ndjehen të tradhtuar nga Beogradi, Prishtina dhe Evropa dhe do të barrikadojnë dhe bojkotojnë institucionet e reja, do të largojnë fëmijët nga shkolla dhe do t’i shesin shtëpitë e tyre.

“Ne jemi pjesë e Serbisë- nuk i duam flamujt e Shqipërisë këtu”, thotë Milloviq, një anëtar i një partie nacionaliste serbe, që është drejtues i Zveçanit.

“Nuk do të lejoj kurrë që djali im të ketë një diplomë me ‘Republikën e Kosovës’ në të. Do të jem personi i parë që do të ik”, citon IHT Milloviqin.

Sido që të jetë, Adriana Hoxhiq, drejtuesja e Zyrës Administrative për Mitrovicën Veriore, thotë se 7 mijë njerëz nga zonat e dominuara me serbe, kanë marrë dokumente identifikimi të Kosovës, si tabela të automjeteve ose licenca për regjistrimin e bizneseve që nga muaji shtator.

IHT kujton se marrëveshja është nënshkruar nga dy armiq të përbetuar, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ish komandant i guerilëve të UÇK-së dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, një zëdhënës i kohës së luftës së Millosheviqit.

Thaçi, thekson IHT, ka pranuar në një intervistë se marrëveshja paraqet një sfidë psikologjike edhe për serbët edhe për shqiptarët, por këmbënguli se në fund do të triumfojë ripajtimi.

“Njerëzit nuk janë mësuar me marrëveshje paqësore në mes të serbëve dhe kosovarëve”, thotë ai.
“Ata janë mësuar me dhunën dhe konfliktet në mes të dy shteteve tona. Por, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është i pandalshëm dhe jam optimist për të ardhmen. Ne të gjithë jemi kosovarë”, u shpreh ai.

Megjithatë, IHT vlerëson se përpjekjet për normalizimin e raporteve kanë pasur një fillim jo të lehtë.

Vetëm disa ditë pasi që qeveria serbe dhe ajo kosovare u pajtuan, Prishtina e akuzoi Beogradin për shkeljen e saj duke bllokuar pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës në një konferencë rajonale në Maqedoni.

Takimi u anulua pasi që presidentët e Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kroacisë anuluan pjesëmarrjen në shenjë solidariteti me Kosovën, shkruan IHT.

IHT citon zyrtarë nga EULEX-i të kenë thënë se integrimi i serbëve të veriut nuk do të jetë i lehtë.

“Ne po përpiqemi të shtrijmë autoritetin e Prishtinës në një vend ku qytetarët e shohin shtetin e Kosovës më shumë si armik sesa si një mik”, thotë Georgios Makeroufas, këshilltar politik në EULEX.

Në Mitrovicë, një qytet që ka qenë arenë përleshjesh mes dy grupeve etnike, IHT thotë se të paktë janë ata që mbështesin marrëveshjen.

Marko Jakshiq, një avokat 29 vjeçar, që punon si nëpunës në një gjykatë të lartë serbe në Mitrovicë, dhe ka një blog me ndikim, thotë se më parë do të punonte si pastrues rrugësh sesa në një gjykatë nën juridiksionin e Kosovës,

Ai thotë se shumica e gjykatësve dhe prokurorëve në gjykatën ku punon, planfikojnë që të transferohen në Beograd. Nëse Beogradi ndalon financimin e institucioneve në veri, ai parasheh se deri në 40 për qind e popullatës do shpërngulet.

“Unë jetoj me shqiptarët që pothuaj 30 vjet dhe nuk iu besoj”, thotë ai, duke shtuar se është i frikësuar shumë që të shkojë në këmbë në Prishtinë dhe se nuk ka miq shqiptarë.

“Nëse ligjet e Kosovës janë ligje tona, atëherë e ardhmja e nipave të mi do të jetë si qytetarë të një shteti që unë nuk e njoh dhe nuk mund ta pranoj këtë”, shprehet ai.

Në pjesën tjetër të Kosovës, rezistenca ndaj marrëveshjes është gjithashtu e madhe dhe lëvizja opozitare Vetëvendosje, thotë se planifikon protesta masive.

Glauk Konjufca, zyrtar i lartë i Lëvizjes, që është edhe deputet në Kuvend, tha se marrëveshja kërcënon, që de facto të krijojë një shtet brenda një shteti.

Ai argumenton se dhënia e autonomisë më të madhe për serbët e Kosovës do ta transformonte Kosovën në një “Bosnje tjetër”, ku përparimi është paralizuar për shkak të ndarjeve etnike.

“Marrëveshja është shkelje e sovranitetit të Kosovës dhe shtetësisë së saj, sepse Serbia ende nuk e njeh Kosovën”, ka thënë ai.

Megjithatë, ka edhe optimistë që thonë se marrëveshja mund t’i japë fund izolimit të veriut, duke ofruar kushte më të mira për bizneset, që tani po përballen me duplifkim rregulloresh të Kosovës dhe të Serbisë.

Një nga mbështetëset e marrëveshjes, Rada Trajkoviq, një mjeke që është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, thotë se shpreson se marrëveshja do të kapërcejë ndarjet etnike. Klinika e saj, në një enklavë në jug të Kosovës, frekuentohet nga pacientë shqiptarë e serbë, që ndjehen rehat aty. Ajo flet serbisht në parlament.

“Shpresa ime është që njerëzit do të nisin të jetojnë jetë normale”, thotë ajo. Në ndërkohë, shton se ajo nuk shkon natën në Mitrovicë, për të shmangur sulmet e radikalëve, përfundon shkrimi IHT.

Përgatiti: Albana Isufi