Kongresistët interesohen për zbatimin e marrëveshjes

Mitrovicë...

Zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit është në interesin e Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto komente ai i ka bërë gjatë takimit që ka zhvilluar me kongresistët amerikanë Robert Aderholf, Bob McEwen dhe Trent Walters, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë dhe po marrin pjesë në takimin e dhjetë të Evropës Juglindore – Lutjet e Mëngjesit.

Kongresistët amerikanë, sipas një komunikate të lëshuar nga Qeveria, kanë shprehur mbështetjen e tyre për fuqizimin e qeverisjes së mirë në Kosovë, sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe reformave të gjithëmbarshme institucionale në Kosovë.

Sipas komunikatës, kongresistët amerikanë kanë theksuar edhe mbështetjen e tyre për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që ajo të fillojë së zbatuari sa më parë.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi ka potencuar se marrëveshja e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Zbatimi i marrëveshjes është në interes të perspektivës evropiane të të dy vendeve dhe të rajonit në tërësi, të bashkëpunimit rajonal. Dhe, në këtë drejtim Qeveria dhe të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, janë të vendosura për zbatimin e plotë të saj”, ka thënë Thaçi.

Mes tjerash, marrëveshja, sipas deklaratave të Thaçit, të bëra gjatë Lutjeve të Mëngjesit, do të sjellë edhe normalitetin në veri të Kosovës.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do ta mbyllë edhe një kapitull të dhimbshëm dhe nxitës, e ky është veriu i Kosovës. Tash e 14 vjet ky rajon ishte bërë oazë e joligjshmërisë dhe qytetarët serbë atje janë po aq të interesuar të jetojnë të sigurt me një perspektivë të vërtetë për jetë, biznes dhe familje”, ka thënë Thaçi.

Optimizëm se marrëveshja Prishtinë – Beograd do të sjellë normalitet në veri kanë shprehur edhe udhëheqësit e komunës së Mitrovicës, të cilët pritën një delegacion ndërkombëtar që po merrte pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Gjatë një shëtitje tek ura mbi lumin Ibër, e cila për 14 vjet ndan qytetin në veri e jug, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati u ka thënë mysafirëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rajoni e Evropa, se me marrëveshjen e 19 prillit, edhe barrikada e vendosur mbi këtë urë, do të hiqet së shpejti.

Përveç kongresistëve amerikanë, këtë vikend në Kosovë kanë qëndruar dhe po qëndrojnë një numër i madh i personaliteteve politike nga rajoni dhe Evropa. Ndër ta të shtunën ishte edhe një përfaqësues i Qeverisë së Serbisë.

Duke vlerësuar organizimin e Lutjeve të Mëngjesit nga institucionet e Kosovës, kongresistët amerikanë theksuan se ceremonia e organizuar në Prishtinë, është në mesin e ceremonive më së miri të organizuara në Ballkan deri më tani.