Roli i Hezbollahut në luftën në Siri

Ushtarë libanezë

Trupat besnike të presidentit sirian, Bashar al-Asad, të mbështetura nga aleatët e grupit libanez Hezbollah, kanë intensifikuar luftimet në qytetin kufitar Qusair.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është zotuar se militantët do të luftojnë në Siri derisa të arrihet fitorja e Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad.

Në një fjalim televiziv, Nasrallah pranoi për herë të parë se luftëtarët e Hezbollahut po marrin pjesë në luftën në Siri.

Ne jemi të pranishëm në këtë betejë, sikurse edhe në ato të mëparshmet, ku burrat tanë dhe ne jemi fitimtarë”, u shpreh Nasrallah.

Pas kësaj deklarate ka pasuar reagimi i ish-kryeministrit libanez, Fuad Siniora, i cili ka folur për Reutersin nga Forumi Ekonomik Botëror në Detin e Vdekur.


“Unë mendoj se ajo që Hezbollahu bëri dje, dhe çfarë Hassan Nasrallah tha, implikon më tej Libanin dhe kjo nuk është në interesin më të mirë të Libanit, është një përpjekje për ta futur Libanin në rrëkenë e luftës që regjimi tiranik në Siri po e zhvillon kundër popullit të vet”, u shpreh Siniora.

Nasrallah tha se Siria dhe Libani po përballen me kërcënim nga sunitët islamikë. Ai pretendon se kjo është pjesë e komplotit të SHBA-së dhe aleatëve të saj, që ta forcojnë rivalin e Hezbollahut, Izraelin.

Israel dhe Hezbollahu kanë zhvilluar një luftë njëmujore në vitin 2006. Presidenti Assad i takon sektit alavit, degë e shiitëve islamikë.

Siniora ka hedhur kritika të tjera për veprimin e Hezbollahut.

“Pozicioni që Hezbollahu ka marrë që nga viti 2000, dhe gjithnjë gjatë këtyre muajve të fundit,tregon se kjo parti nuk është një parti libaneze. Është një grup iranian, i cili punon brenda Libanit. Prandaj, në kundërshtim me të gjitha pretendimet e Hezbollahut që përpiqet t’i përhapë në mesin libanezëve se është një grup i rezistencës, ne i shohim ata me një fytyrë krejt tjetër”, sqaroi Siniora.

Koalicioni Kombëtar Sirian, grup ky opozitar ka denoncuar përfshirjen e Hezbollahut në luftë.

Ky koalicion është takuar në ditët e fundit në Turqi për të arritur ndonjë pajtim për konferencën e paqes, që do të mbahet në Gjenevë, e cila ka për qëllim dhënien fund të konfliktit sirian, që deri më tash ka marrë mbi 80 mijë jetë. Damasku zyrtar ka konfirmuar pjesëmarrjen.(a.isufi)