Kosovë: Nazmi Mustafi – 5 vjet burg për korrupsion

Një trup gjykues i përbërë prej tre gjyqtarëve në Gjykatën Themelore në Pejë, i kryesuar nga një gjyqtar i misionit EULEX, i dënoi katër persona për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe për vepra të tjera lidhur me këtë, ka njoftuar sot EULEX-i.

I pandehuri Nazmi Mustafi u dënua për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe për posedim të paligjshëm të një arme të zjarrit, me burgim pesëvjeçar dhe me gjobë prej 10 mijë eurosh.

Ai e kishte kryer veprën derisa ishte i punësuar si Prokuror Special në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.


Në kumtesën e EULEX-it, mëtutje theksohet se të pandehurit Reshad Zherka dhe Xhelal Zherka, u dënuan me nga katër vjet burg dhe gjobë prej 10 mijë eurosh, për ushtrim të ndikimit dhe nxitje të shpërdorimit të pozitës zyrtare.

E pandehura Mirela Ndoci, u dënua me gjashtë muaj burg dhe me gjobë prej 10 mijë eurosh, për ndihmë në keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.