Në politikë, vetëm për një vend pune

Ilustrim


Të rinjtë kosovarë thonë se nuk u besojnë partive politike që veprojnë në Kosovë, por megjithatë, ata pohojnë se do të votojnë për shkak se është obligim qytetar.

Për rubrikën e përjavshme, VOX, të Radios Evropa e Lirë,të rinjtë pranojnë se do të anëtarësoheshin në ndonjë parti, jo nga besimi, por për të zënë një vend pune.

Hanifja është studente në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se angazhimi i tyre karshi shoqërisë kosovarë, nuk ka lënë hapësirë që t’u besohet partive politike.



Megjithatë, ajo shprehet se për të siguruar një vend pune, do të anëtarësohej në partitë politike

“U besoj shumë pak, nuk e kryejnë punën e duhur. Kanë pasur mundësi që të punojnë më tepër. Unë e di, se Kosova është shkatërruar nga lufta, dhe nuk është lehtë të ketë zhvillim ekonomik dhe të ketë perspektivë, por me një angazhim më të madh, do të kishte më tepër rezultate. Për shkak të punës, nëse do të ishte zgjidhja e fundit, do të anëtarësohesha, pasi zakonisht ata që janë të integruar në partitë politike, kanë përparësi më të madhe në të gjitha aspektet”, thotë Hanifja.

Edon Shala, student në Fakultetin Ekonomik, shprehet se nuk u beson partive politike, për shkak se ato, prioritet kanë interesat personal.

“Jo nuk u besoj, se qëllimet e tyre janë private. Unë jam student dhe disa nga ta janë profesorë në fakultetin tim, ka shumë profesorë të partive politike, në kohën e fushatave për zgjedhje janë më të mirë. Do të votoj dhe do të isha bërë pjesë e ndonjë partie për të siguruar një të ardhme”, shprehet Edoni.

Besimin në subjektet politike e ka humbur edhe Taulant Berisha, student:

“Unë asnjëherë nuk u besoj, sepse nuk punojnë për shtet, por vetëm për vete. As premtimet që kanë dhënë gjatë kohës së fushatës, nuk i kanë realizuar. Ndërkaq, edhe pse nuk u besoj, do të anëtarësohem vetëm për të gjetur një vend pune”.

Se partitë politike në vend e kanë humbur kredibilitetin, pohon edhe i riu tjetër Blondin Sylejmani.

“Cila parti po vjen në pushtet, po kritikon atë që ka qenë më herët, ndërsa të gjitha njëjtë veprojnë. Unë i kam humbur shpresat. Në Kosovë nuk do të ketë përmirësim, pa ardhur një gjeneratë e re, një mentalitet i ri”, konsideron Blondini.

Fisnik Dalipi thotë se lidhur me angazhimet e partive politike beson 30 për qind. Fisniku i cili studion në Fakultetin Ekonomik, thotë se partitë e në pushtet, për të ulur shkallën e papunësisë kanë ulur kriteret për regjistrim në fakultete.

"Vetëm për të mos qenë i papunë duhet të jesh student. Përndryshe, mos të isha student, do të llogaritëm si i papunë. Kjo është arsyeja për të zvogëluar shkallën e papunësisë, një strategji në dëm të popullit".

"Për këtë arsye e kanë zbritur kriterin e regjistrimit në fakultet, sepse sikur të kishte kritere më të ashpra, studentë do të kishte më pak. Këtë e kanë bërë me qëllim, kriteri i dobët, studentë po regjistrohen shumë, atëherë niveli i papunësisë zbret. Por, prapë, edhe pas përfundimit të studimeve, ne do të jemi të papunë”
, vlerëson Fisniku.

Ndërkaq, Valdrin Elshani, student në Departamentin e Historisë, shprehet:

"Para zgjedhjeve japin premtime, shumicën e tyre nuk i realizojnë, shumë pak merren me premtime dhe për këtë arsye shumë pak u besoj. Interesi i tyre kryesore është pushteti, por kur po e marrin pushtetin, po e harrojnë popullin. Unë do të votoj, vetëm sa për të realizuar obligimin tonë".

Burimi, një i ri tjetër nga Prishtina, thotë se ka përfunduar Fakultetin e Gjeografisë, por nuk ka arritur që të sigurojë ndonjë vend punë në profesionin e tij. Ai thotë se punon krejt diçka tjetër. Burimi shprehet se shumë pak u beson subjekteve politike në vend.

"Shumë pak, po shihet puna e tyre. Që nga përfundimi i luftës, tri parti politike kanë qenë në pushtet dhe nuk kanë arritur të sigurojnë besimin e qytetarëve. Nuk po qeverisin ashtu siç duhet, papunësia vazhdon të jetë në nivel të lartë.
Unë nuk mendoj se do t’i bashkohem ndonjë subjekti politik, për të siguruar ndonjë vend pune”
, thotë Burimi.

Ismail Krasniqi, studion Gjuhën Frënge dhe për një kohë ka jetuar në shtetin e Zvicrës. Ai bën dallimin në mes partive politike në Kosovë dhe atyre në vendin ku ka jetuar:

“Nga përvoja që kemi pasur, kemi parë se ata nuk kanë bërë asgjë, as për punësim, as për të rinjtë. Unë një kohë kam jetuar në Zvicër, dhe modelin më të bukur e kam parë se çka bën një politikan për popullin e vet. Kur jam kthyer në Kosovë, e kam parë se këtu ka vetëm retorikë, e asgjë nuk bëjnë për popullin”, rrëfen përvojën e tij Ismaili.

Ndërsa, Artani po ashtu një i ri tjetër nga Prishtina, duket më me fat meqë punon në institucionet qeveritare. Mirëpo edhe Artani shprehet i zhgënjyer me partitë politike madje thotë se nuk do të votojë, pasi, sipas tij, disa përfaqësues të partive politike janë pasuruar shumë shpejt.

"Kurrgjë nuk kanë bërë... Unë në zgjedhjet e kaluara kam votuar, po në zgjedhjet e ardhshme nuk do të votoj, se më kanë zhgënjyer. Argument i kësaj është se pagat janë shumë të ulëta, sa herë na premtojnë se do t'i rrisin pagat, por në fund merren me interesat e veta. Disa kryetarë të shteteve tjera të zhvilluara, udhëtojnë me autobusë, kurse këta tanët, dalin me gati 50 vetura të markës Mercedes apo Jeep”, thekson Artani.

Sidoqoftë, sipas afatit ligjor, gjatë kësaj vjeshte pritet që të shpallen zgjedhjet lokale në Kosovë.