CEZ nis arbitrazhin kundër Shqipërisë

Foto ilustruese

Kompania e udhëhequr nga shteti çek, CEZ tha se i ka nisur procedurat e arbitrazhit kundër Shqipërisë për të kërkuar dëmshpërblim, pasi shteti shqiptar ia revokoi licencën e shpërndarjes, njofton AFP.

CEZ, tha në një deklaratë se Shqipëria ka dështuar të mbrojë investimet e kompanisë, që njihej si distributori Shperndarje.

CEZ nuk e ka sqaruar shumën e kërkuar, por mediat çeke thonë se mund të jetë deri në 190 milionë euro.

Kompania ka paguar 102 milionë euro për të marrë monopolin e distribucionit të energjisë në vitin 2009, derisa shteti ka pasur 24 për qind të aksioneve.

Pas përplasjeve me qeverinë e Tiranës dhe të zyrtarëve energjetikë, CEZ tha në fund të vitit të kaluar se do të shesë aksionet e kompanisë në Shperndarje.

Pastaj, në muajin janar, rregullatori i energjetikës ia ka hequr licencat CEZ-it, duke e fajësuar për mungesë energjie dhe uji në disa rajone.

CEZ pat argumentuar se ka shkyqur konsumatorët për shkak të faturave të papaguara.

Kompania, në të cilën shteti i ka 70 për qind të aksioneve, vepron në 10 shtete, kryesisht në Evropën lindore dhe qendrore.