Raportet ndërfetare në Maqedoni

Pamje nga Shkupi

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni ka vendosur të bojkotojë Konferencën ndërkombëtare për dialog ndër-religjioz dhe ndërcivilizues, ka njoftuar zëdhënësi i BFI-së Agron Vojnika.

Ky bojkotim, sipas tij, po bëhet ngase Qeveria Maqedonase në vazhdimësi ka anashkaluar kërkesat e këtij institucioni, kërkesa këto të akumuluara me vite dhe përfundimisht BFI-ja, si institucion, nuk dëshiron të jetë pjesë e një “farse” të Qeverisë për t`i sjellë pikë si në rrafshin e brendshëm, ashtu dhe në atë ndërkombëtar.

“Arsyet janë të shumta, do të thotë BFI-ja ka një mijë arsye që t'i thotë jo kësaj konference, e cila gjithsesi paraqet vetëm se një dyfytyrësi të llojit të veçantë, sepse në Maqedoni mund të ketë gjithçka, por jo dialog ndërfetar dhe ndërkulturor ndërmjet komuniteteve që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni".

"Kundrejt asaj që kemi paralajmëruar gjithnjë e më zëshëm kohëve të fundit, se durimit i vjen fundi dhe nuk mund të presin më problemet e akumuluara me vjet siç është ndërtimi i Çarshi Xhamisë në Prilep, ndarja e një lokacioni për rezidencë dhe qendër kulturore për BFI-në, heqjen e kryqeve në Sahat-kullat e Manastirit, kthimi pronave të nacionalizuara të BFI-së dhe, veçanërisht për ne, mbetet e patolerueshme përjashtimi islam në Qendrën e Shkupit dhe shumë raste të tjera”
, ka thënë Vojnika.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve dhe grupeve religjioze, Valentina Bozhinovska, ka shprehur keqardhje për këtë vendim të BFI-së, duke theksuar se të gjitha arsyet e parashtruara nga ky institucion i përkasin natyrës teknike dhe se të njëjtat janë shtruar disa herë në tryezën e bisedimeve në nivel të lartë, si në kabinetin e kryeministrit, presidentit dhe ministres për Kulturë.

“Të gjitha këto kërkesa janë shqyrtuar në tavolinë nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore. Gjithmonë ka pasur hapësirë të mjaftueshme për bisedime bashkë me kryeministrin dhe ministren për Kulturë, të gjitha këto çështje i kemi diskutuar”, është shprehur Bozhinovska.

Por, Agron Vojnika ka bërë të ditur se në konferencën e vitit 2010, e cila u realizua në Ohër, BFI-ja paralajmëroi bojkotin për disa arsye duke apostrofuar - rindërtimin e Xhamisë së Prilepit, ndërtimin e Xhamisë së Llazhecit, ndarjen e një lokacioni për rezidencë dhe qendër kulturore për BFI-në dhe veçanërisht edhe praninë e kulturës islame në kuadër të projektit "Shkupi 2014", por për këto dy vjet asnjë hap konkret nuk është bërë.

“Le të kujtojmë atë botë u bënë dhe marrëveshje me shkrim me Qeverinë e Maqedonisë, e cila i dha dokument të firmosur Bashkësisë Fetare Islame se do t`i realizonte këto kërkesa tonat si institucion, por gjithçka sikurse deri më sot është vetëm në formë deklarative”, ka shpjeguar Vojnika.

Por lidhur me kërkesat e BFI-së, Valentina Bozhinovska është shprehur :

"Mendoj se në këtë çast Bashkësia Fetare Islame flet më shumë si zë i dalë nga një parti politike, kërkesat e parashtruara janë shtrirë në segmentin politik dhe më së paku BFI-ja tani flet si institucion që duhet të ketë imperativ dialogun, zërin e mirëkuptimit dhe vërtet me vjen keq për këtë arsye”.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska- Milevska dhe drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve dhe grupeve religjioze, Valentina Bozhinovska, pritet të të hapin në Shkup, Konferencën e tretë për dialog ndër-religjioz dhe ndërcivilizues.

Tema bosht e kësaj konference, në të cilën pritet të marrin pjesë 110 mysafirë nga jashtë dhe 150 pjesëmarrës nga Maqedonia, është “Liria dhe dinjiteti-vlera themelore të marrëdhënieve ndërnjerëzore, ndërfetare dhe ndërkulturore