SHBA: Zgjedhjet e qershorit, kritike për të ardhmen e vendit

Ilustrim


Keida Kostreci, "Zëri i Amerikës"


Anëtarë të Kongresit, zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe analistë i cilësuan të një rëndësie kritike zgjedhjet e 23 qershorit për të ardhmen e Shqipërisë. Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë për Shqipërinë të hënën, ku një nga temat më të debatuara ishte ajo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker vlerësoi përparimin e deritanishëm të vendit dhe shprehu mbështetjen për integrimin evropian të tij, por shtoi se Shtetet e Bashkuara ndajnë mendimin e Komisionit Evropian se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një provë kritike për gadishmërinë e Shqipërisë për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian.

Philip Reeker

“Ecuria e këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë nëse Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të BE-së. Po ashtu do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë”, tha ai.

“SHBA dhe partnerët tanë evropianë, kanë theksuar se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me faktin se kush i fitoi një palë zgjedhje dhe kush i humbi. Edhe procesi demokratik ka rëndësi”.

Kreu i Komisionit të Helsinkit, senatori Benjamin Cardin vlerësoi përparimin e shpejtë të Shqipërisë, në vitet pas rënies së komunizmit, por shtoi se në vitet e fundit ky ritëm ka ndryshuar dhe në disa raste disa shanse për përparim kanë humbur.

“Populli shqiptar meriton zgjedhje të lira dhe të ndershme, meriton premtimin e demokracisë në kuptimin e plotë”.

Kongresmeni Eliot Engel ra dakord me zotin Reeker se zgjedhjet kanë rëndësi për mënyrën sesi do të mbahen.

Eliot Engel

“Unë u bëj thirrje të gjitha partive politike që të zbatojnë premtimet që i kanë bërë OSBE-së për mbajtjen e zgjdhjeve dhe fushatën që i paraprin atyre. Zgjedhjet duhet të konsiderohen nga OSBE-ja si të lira dhe të drejta. Një gjë e tillë jo vetëm do t’u jepte legjitimitet rezultateve për elektoratin shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një mandat që të gjitha partitë politike të pranonin rezultatet përfundimtare dhe të zënë vendet e tyre në parlament”.

Drejtori i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj i konsideroi zgjedhjet një sfidë por edhe mundësi për të konsoliduar përparimin e viteve të fundit.

Por ai e quajti politikën shqiptare bllokuese edhe jofunksionale.

“Niveli i lartë aktual i politizimit dhe i fragmentimit, është rezultat direkt i faktit që dy partitë kryesore refuzojnë të angazhohen në kompromise që janë normale në një rend demokratik”.

Elez Biberaj gjatë seancës

Zoti Biberaj tha se vendi nuk mund të përballojë një votim tjetër të debatueshëm që do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Tiranës me Uashingtonin dhe Brukselin.

“Zgjedhjet u japin aktorëve politikë në Shqipëri një shans për të kaluar , përtej trajtimit të zgjedhjeve si një lojë ku ka vetëm fitues dhe të humbur, të tregojnë angazhimin për konsolidimin e demokracisë dhe të ri-institucionalizojnë politikën demokratike”.

Zoti Biberaj tha se fundi i kësaj politike do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ai tha se deri tani të dyja palët nuk kanë treguar vullnet politik për të arritur një kompromis për problemin e KQZ-së. Kjo çështje ishte tema më e debatuar e seancës dhe pjesëmarrësit shprehën shqetësimin se zgjedhjet nuk mund të adminstrohen me efektivitet vetëm me katër anëtarë.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker tha se KQZ-ja nuk duhet të bëhet objekt ndërhyrjeje i asnjë individi, partie politike, apo institucioni, përfshirë Parlamentin.

“Anëtarët e KQZ-së që janë përzgjedhur dhe caktuar mbi bazën e një konsensusi ndërpartiak dhe në përputhje me Kodin Elektoral, duhet të jenë apolitikë. Me të marrë detyrën, anëtarët e KQZ-së janë të angazhuar dhe të detyruar që t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të paanshme për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe zgjedhje demokratike në Shqipëri”.

Zoti Reeker i inkurajoi udhëheqësit e partive politike që të arrijnë një kompromis dhe shprehu besimin se ata mund ta realizojnë një gjë të tillë.

Duke shpjeguar dinamikën e ndryshimit të përbërjes së KQZ-së pasi Lëvizjes Socialiste për Integrim u largua nga koalicioni qeveritar, Besa Shahini, analiste e Iniciativës Evropiane për Stabilitet tha se situata e krijuar paraqet dy sfida për organizimin e zgjedhjeve.

“Së pari parimet demokratike dhe legjitimiteti i organizimit të zgjedhjeve janë dëmtuar dhe së dyti kemi një komision vetëm me katër anëtarë që nuk mund t’i kryejë funksionet e veta siç duhet”.

Ajo e shpjegoi këtë përfundim me faktin që Kodi Zgjedhor nuk e parashikon shkarkimin e një anëtari të Komisionit për arsye balance politike.

Por ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi tha se është e padrejtë ndaj shumicës parlamentare që të jetë pakicë në Komisionin e Zgjedhjeve.

“Parlamenti kishte të gjithë bazën e duhur ligjore për të rregulluar diçka që ishte dëmtuar. Kodi Elektoral parashikon që parlamenti ta ngrejë KQZ-në në një mënyrë të ekuilibruar politike dhe të ruajë këtë balancë kur mbeten vende bosh”.

Ai shtoi se gjithsesi parlamenti kishte vepruar për të hequr anëtarin e LSI-së jo për të respektuar balancën por sepse caktimi i tij ishte bërë në thyerje të ligjit.

Ambasadori Galanxhi tha se Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm drejt demokracisë dhe vleroi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Ai ia atribuoi humbjen e mundësisë për tre vjet me radhë të arritjes së statusit të kandidatit mungesës së pjesëmarrjes në parlament të Partisë Socialiste, që pengoi sipas tij miratimin e legjislacionit të nevojshëm që kërkonte dy të tretat e votave.


* Ky material u publikua fillimisht në "Zërin e Amerikës"