Pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, si gjuhë zyrtare, e drejtë kjo që buron nga marrëveshja e Ohrit, në një pjesë të konsiderueshme të institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike të vendit, ajo nuk gjen zbatim me arsyetimin se mungojnë mjetet financiare, po edhe tek ato ku implementohet, hasen gabime të shumta gjuhësore.
Mungesa e zbatimit të gjuhës shqipe, jo rrallë arsyetohet përmes të interpretimeve të ndryshme të ligjit që rregullon këtë çështje, derisa ekspertët janë të mendimit se gjuha, si mjet i rëndësishëm i komunikimit, duhet të konsiderohet si urë që bashkon dy etnitetet më të mëdha në Maqedoni - shqiptarët dhe maqedonasit - dhe jo si hendek që ndan këta dy popuj përmes kornizave ligjore.
“Është e drejtë legjitime që shqiptarët të insistojnë që gjuha shqipe të gjejë zbatim në të gjitha nivelet e shtetit, si e dejtë themelore e të drejtave të njeriut”, thotë Vllado Popovski, profesor në Universitetin e Shkupit dhe një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit duke komentuar reagimet e mediave maqedonase pse kohë më parë ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Talat Xhaferi, mbajti konferencën për shtyp vetëm në shqipe.
“Në momentin që miratohet ligji që garanton të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, kjo gjë bëhet legjitime për atë pjesë të caktuar. Ndërkohë kjo, mendoj përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, është e drejtë legale për të gjithë qytetarët, përfshirë këtu dhe zyrtarët e lartë shtetërorë”, thekson Popovski.
Nga ana tjetër, lidhur me shtrembërimet që bëhen gjatë aplikimit të gjuhës në ueb-faqe, pankarta, përshkrime etj., profesor Dervish Halimi nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, thotë se fajin e kanë të gjithë politikë-bërësit shqiptarë, të cilët gjatë qeverisjes nuk angazhojnë profesionistë, por “ushtarë partiakë” në vende të caktuara.
"Nëse dëshirohet, gjegjësisht ka vullnet nga politikë-bërësit, zgjidhja mund të jetë shumë e thjeshtë dhe me shumë më pak harxhime shqipja mund të implementohet në praktikë nëse sigurohet kuadër profesional , jo vetëm gjatë sigurimit të kuadrit të përkthyesve profesional por edhe kuadrit përkatës.
Kjo ngase për lëndë të caktuara juridike, përkthyesi e ka shumë më të vështirë nëse nuk e njeh terminologjinë juridike dhe esencën e atij lëmi. Kështu që jam i mendimit se kuadri profesional, sidomos në ato vende pune ku ka kontakt të drejtpërdrejtë me palët, duhet të jenë profesionistë të mirëfilltë”, thekson Halimi.
Ai thekson se përderisa përdorimi i gjuhës në të gjitha nivelet nuk merr statusin juridik obligativ, do të gjenden gjithmonë mekanizma që shqipja, edhe pse është e mundësuar me ligj, mos gjejë zbatim praktik
“Zbatimi i dygjuhësisë në administratën shtetërore publike, si në nivelin qendrorë, ashtu dhe në atë lokal, të vendoset kuadër profesional. Pra, profesionisti të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me palët dhe jo përkthimi të bëhet përmes palës së tretë, e cila s’është dhe aq e aftësuar”.
“Për fat të mirë, kemi mjaft kuadër të aftësuar shqiptar dhe ata duhet të vendosen në pozitat e caktuara, dhe e drejta e përdorimit të mos u ndalohet, siç është rasti i gjykatës, palët janë shqiptarë, avokatët janë shqiptarë, duhet të flasin në gjuhën maqedonase sepse procesverbali duhet të mbahet maqedonisht – ky është absurd më vete“, shprehet Dervishi.
Ndërkohë, organet qeveritare ndaj gabimeve të shumta që hasen në praktikë, gjatë përdorimit të gjuhës shqipe nga institucionet, kanë reaguar duke theksuar se ato nuk janë të qëllimshme dhe ky proces është i vështirë dhe i ndjeshëm, andaj nevojitet kohë.
Zëvendëskryeministri përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, duke dhënë sqarime rreth gabimeve gjuhësore që hasen në mbishkrime ose broshura, përfshirë edhe institucione të ndryshme shtetërore, thotë se nevojitet themelimi i një institucioni, i cili do të përkujdeset për kultivimin e gjuhës.
“Ka nevojë të ketë institucione, të cilat përkujdesen për kultivimin e gjuhës, që mos të bëhen gabime të tilla teknike. Mirëpo, unë besoj se lëshimet nuk janë me qëllim të keq, janë lëshime në punë e sipër dhe falënderojmë edhe mediumet, të cilat i detektojnë këto lëshime që të mund t’i përmirësojmë. Ne do ta rishqyrtojmë atë çështje, unë besoj që kualiteti nuk përmirësohet vetëm me gjoba, duhet edukuar kuadrin, duhet qenë më të vetëdijshëm”, thekson Xhaferi.
Xhaferi sqaron se nuk parashihet ndonjë ndryshim në Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, për sa i përket masave sanksionuese, siç parasheh Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase, gjoba prej 1 deri në 35 mijë denarë për personin juridik që do të lejojë publikimin e teksteve të palekturuara.