“Shkupi 2014”: Pezullohen punimet

Qendra e Shkupit...

Projekti kundërthënës “Shkupi 2014”, do t’i nënshtrohet një revizioni të detajuar nga ana e kryetarit të ri të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, që vjen nga radhët e bllokut opozitar.

Zhernovski, vendimin e parë që mori, kishte të bënte me shpalljen e një moratoriumi për këtë projekt të Qeverisë.

Projekti "Shkupi 2014" bazohet kryesisht në vendosjen e qindra përmendoreve dhe skulpturave të ndryshme në qendër të Shkupit dhe ndryshimin e pamjes së të gjitha ndërtesave në stilin barok, me qëllim të, siç ishte thënë nga Qeveria, identifikimin e Shkupit me prejardhjen antike të maqedonasve.

Në postin e komunës Qendër të Shkupit, Zhernovski erdhi pas një sërë anulimesh të procesit zgjedhor, që, sipas tij, kishin për qëllim pamundësimin e fitores së opozitës për të fshehur të gjitha keqpërdorimet që ka bërë këshilli i komunës me miratimin e shumë vendimeve antiligjore lidhur me realizimin e këtij projekti, i cili, që nga nisja e tij është kundërshtuar me forma të ndryshme proteste.

“Nuk do të ketë përmendore të reja, nuk do të ketë objekte të reja, ndoshta Ministria e Kulturës me forcë do të tentojë ta bëjë një gjë të tillë, por ajo duhet të jetë e vetëdijshme se pa u konsultuar me Komunën Qendër, nuk mund të bëjë diçka të tillë”.

“Atje ku ka kompetenca Komuna Qendër, nuk do ta lejoj pushtetin qendror që të bëjë çfarë të dojë. Ne nuk do të lejojmë që komuna jonë të jetë filial i pushtetit qendror. Projekti ‘Shkupi 2014’ do t’i nënshtrohet një revizioni të rreptë dhe deri atëherë do të pezullohen të gjitha punimet në qendër të Shkupit”,
deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Zhernovski.

Ai dyshon se shuma e harxhuar deri më tani për këtë projekt është shumë më e lartë se 207 milionë eurot e paraqitura nga ministrja e kulturës, Elizabeta Kançevska, dhe ish-kreu i Komunës Vlladimir Todoroviq.

Duke komentuar njoftimet nga, siç tha mediat e afërta me pushtetin, se ai do të rrënojë apo dislokojë përmendoret e ngritura, Zhernovski tha se ato janë spekulime për të ngritur tensione pasi përmendoret do të mbeten, por projekti më nuk do të vazhdojë.

Asnjë vendim nuk do të mund të realizohet pa lejen e pushtetit lokal.

Zhernovski nuk përjashton edhe mundësinë e përfundimit të punimeve për vendosjen e përmendoreve të personaliteteve shqiptare, pasi, siç u shpreh, ato janë lënë qëllimisht të papërfunduara për të ngritur tensione ndëretnike, në rast se do të merret ndonjë vendim kundërshtues.

“Unë nuk jam naiv, e di se jo rastësisht janë lënë përmendoret e heronjve shqiptarë, por nuk do të bie në një provokim të tillë. Ne do të shohim se deri ku është procedura dhe do të veprojmë në përputhje me kompetencat tona”, sqaroi Zhernovski.

Nga ana tjetër, duke komentuar vendimet për pezullimin e projektit “Shkupi 2014”, e në veçanti rastin me përmendoret shqiptare, vendosja e të cilave është zvarritur tashmë dy vjet, njohësit e zhvillimeve politike thonë se kreu i ri i komunës Qendër nuk duhet që të paktën të pengojë vendosjen e tyre.

“Vendosja e këtyre do të duhej të vazhdonte, por nëse revidohet ‘Shkupi 2014’, do të duhet të revidoheshin të gjitha monumentet dhe jo të bëhet vetëm me përmendoret shqiptare. Besoj se Zhernovski nuk do ta bëjë këtë gabim që projektin ta ndërpresë pikërisht te monumentet shqiptare, pasi edhe ashtu numri i tyre është shumë i vogël në krahasim me monumentet tjera”, thotë analisti Albert Musliu.

Sipas tij, ndërrimi i pushtetit në Komunën Qendër ka krijuar një lehtësim për të gjithë, pasi do të ketë transparencë për këtë projekt që është më i madhi i realizuar ndonjëherë në Maqedoni, por i përcjellë me polemika të shumta.

“Për qytetarët, është një mundësi e mirë pasi nuk do të mund, që gjithë ky proces të zhvillohet pa debat dhe në këtë rast konsideroj se Qeveria do ta ketë më të vështirë që t’i zbatojë projektet pa debat publik, pasi kjo do të shfrytëzohej nga opozita për të alarmuar publikun”, vlerëson Musliu.

Sa i përket çmimit të projektit, vlerësimet kanë qenë nga më të ndryshme. Pushteti thotë se deri tani janë shpenzuar mbi 200 milionë euro, por bazuar sipas të dhënave të opozitës, ky projekt mund të arrijë në gjysmë miliard euro.

Përveç nga brenda, vendit ky projekt është kritikuar edhe nga Greqia dhe Bullgaria, të cilat kanë akuzuar Maqedoninë për përvetësimin e historisë së tyre dhe të shumë heronjve, të cilët tashmë janë vendosur në kryeqendrën e Maqedonisë.