Engel: Edhe një konfirmim se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë

Eliot Engel

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka uruar Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes. Në një komunikatë për shtyp, zoti Engel ka veçuar guximin dhe gatishmërinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për marrjen e vedimeve të rënda dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, për pragmatizmin e tij dhe për vizionin përparimtar.

“Ky është edhe një konfirmim i faktit se Kosova është e pavarur, sovrane dhe e lirë”, citohet të ketë thënë kongresisti amerikan, duke shtuar mes tjerash se marrëveshja e sotme nënvizon faktin se rajoni do të mund të prosperojë vetëm atëherë kur të gjitha shtetet e Ballkanit t’i jenë bashkuar familjes evropiane.

“Bashkimi Evropian, sikundër që i ofron Serbisë një datë për negociatat për anëtarësim në BE, duhet t’i ofrojë edhe Prishtinës atë që vendeve të tjera në Ballkan u është dhënë tashmë: Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për të udhëzuar orientimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovë të drejtën për të udhëtuar në Bashkimin Evropian”.

“Vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – duhet ta njohin tash sovranitetin e Kosovës. Dështimi i tyre për ta njohur Kosovën do të vonojë jo vetëm përparimin e Kosovës drejt BE-së, por edhe të Serbisë”,
thuhet në komunikatën e kongresistit Engel, i cili megjithëse vlerëson ditën e sotme si një shenjë të mirë për të ardhmen e Ballkanit, megjithatë tërheqë vërejtjen se ka ende shumë punë për t’u bërë. (a.v.)