Arrijnë marrëveshje

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat.

"Dua t'i uroj të dy për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. është e rëndësishme që ajo që po shohimt ani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës", u ka thënë Ashton gazetarëve në Bruksel.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me të dalë nga takimi, marrëveshjen e ka cilësuar si historike.

"Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton".

"Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës , e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial".


Kryeministri Hashim Thaçi dhe baronesha Catherine Ashton

"Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiq, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen evropiane".

"Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe për Bashkimin Evropian".

"Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, që do të bëjmë marrëveshjen për implementimin. Do të thotë deri më 26 prill ne do të kemi edhe draftin përfundimtar për implementim dhe akterët implementues, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-in, NATO-n, dhe një rol lehtësues të Serbisë",
ka thënë kryeministri i Kosovës.


Daçiq: Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje


Mediat serbe citojnë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ketë thënë se "Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje".

"Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim", ka thënë Daçiq, duke shtuar se ky tekst sot është gjithsesi më i përshtatshëm seç kanë qenë propozimet e deritashme.

Kryeministri serb Ivica Daçiq dhe baronesha Catherine Ashton

Bashkësia e komunave serbe do të ketë autorizime të mëdha, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e komandantit, përkatësisht ajo do ta propozojë komandantin rajonal të policisë; do të ketë përbërje serbe në sistemin e drejtësisë, do të ketë një përfaësi të gjykatës së qarkut në veri të Mitrovicë".

"Selia e bashkësisë do të jetë në veri të Mitrovicës, do ta ketë pronën e vet, xhirollogarinë e vet, kuvendin, presidentin, nënpresidentin dhe këshillin, si një formë qeverie. Do të ketë mbikqyrje të plotë dhe autoritet ekzekutiv kur bëhet fjalë për arsimin, shëndetësinë, kulturën, planifikimin hapësinor”, ka thënë Daçiq.

Teksti nuk është publikuar zyrtarisht ende, por është përfolur se ai përmban 15 pika.

Prej tyre, pika e 14 ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, e për të cilën pikë Daçiq ka thënë se janë marrë parasyshë kërkesat e palës serbe për të penguar një anëtarësim të tillë.

Por, zoti Thaçi është përgjigjur duke thënë se Serbia gjithmonë ka deklaruar fitore, edhe në qershor të viti 1999, edhe në takimet e Vjenës. (a.v.)



http://www.youtube.com/embed/8PO_nZKSMTQ