Në Kosovë presin arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Raundi i nëntë i bisedimeve Kosovë – Serbi që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në Prishtinë po përcillet me interesim por nuk priten shumë befasi.

Përfaqësues politikë si dhe analistët mendojnë se palët nën presionin ndërkombëtar do të nënshkruajnë marrëveshjen e cila nuk do të ketë dallime shumë të mëdha nga përmbajtja e draft-marrëveshjes që javë më parë kishte prezantuar baronesha Catherine Ashton në lidhje me kompetencat e asociacionit të komunave serbe.

Dallimet kryesore mes palëve në bisedime janë nëse përmes kompetencave të këtij asociacioni do të mundësohej që të krijohet edhe një autonomi për serbët në veri të Kosovës apo jo.

Autonomia është kërkesë në tavolinë e palës serbe, përderisa ajo kosovare ka mbështetur deri më tash vetëm zgjidhjet që janë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri mendon se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative.

Kërkesat serbe për autonominë e veriut, nënvizon Haziri, ishin prezantuar nga Beogradi edhe gjatë procesit të Vjenës, por edhe atëherë pala kosovare i kishte refuzuar.

Kosova nuk mund të lejon që të drejtat ekzekutive t’i njihen një organi sido që të emërohet ai, sepse e sakaton funksionalitetin, e sakaton shtetin e Kosovës dhe fundja është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm. Kjo ka qenë edhe në procesin e Vjenës ku ne e kemi dëshmuar të kundërtën”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, subjekt ky që kundërshton dialogun aktual me Beogradin, vlerëson se marrëveshja në përgatitje e sipër nuk është transparente.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti tha se partitë politike njoftohen vetëm përmes medieve në lidhje me këtë dialog.

Nuk kemi asnjë shkronjë më të vogël nga tekstet të cilat Hashim Thaçi i ka pranuar atje. Madje kemi informata se për çdo marrëveshje, përfshi edhe fondin zhvillimor për veriun, qarkullon një dokument prej 10-faqesh të cilin qeveria e Kosovës e ka pranuar e ka diskutuar dhe dëshiron ta fut në ligjin për buxhetin, ndërkaq kuvendi nuk është i informuar. Është procesi më jo transparent që është parë ndonjëherë në negociata”, është shprehur Ahmeti.

Analisti i institutit KIPRED, Ardian Arifaj mendon se ishte presioni ndërkombëtar ai që i shtyri palët të ulen dhe bisedojnë dhe se ky presion edhe mund t’i bind Prishtinën e Beogradin që të arrijnë edhe deri te marrëveshja.

I tërë procesi ka filluar për shkak të presionit ndërkombëtar e sigurisht që ky presion ndërkombëtar do t’i detyrojë palët që të gjejnë një ujdi. Në këtë rast, palë nuk është Kosova, por më shumë është Serbia me bashkësinë ndërkombëtare, me BE-në e nën hije edhe SHBA-në”, ka thënë Arifaj.

Ndërkohë, njëri nga përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq thotë se palët ishin afër marrëveshjes edhe në takimin e fundit, andaj nuk pret ndryshime dramatike nga përmbajtja e draft-marrëveshjes që paraprakisht iu kishte ofruar palëve baronesha Ashton.

Ivanoviq thotë se gatishmëria e Beogradit për të nisur edhe një raund bisedimesh me Prishtinën mund të ndërlidhet edhe me zhvillimet në Vojvodinë.

Mendoj se e kanë tërhequr vëmendjen nga ngjarja kryesore që konsiderohet në Beograd e që ka të bëj me zhvillimet në Vojvodinë. Në këtë moment, opinioni nuk merret shumë me Kosovën dhe mendoj se kjo ishte arsyeja kryesore pse delegacioni serb tregoi gatishmëri që edhe njëherë të dialogohet me Kosovën”, ka thënë Ivanoviq.

Ky është raundi i nëntë që kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daiq zhvillojnë në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Me marrëveshjen eventuale Kosova dhe Serbia do të mund të lëviznin më pas drejt proceseve integruese evropiane.