OKB: Debat për tribunalet për krime të luftës, SHBA-ja bojkoton

Pamje nga debati për punën e tribunaleve ndërkombëtare për krime të luftës, Nju Jork, 10 prill 2013.


Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, të mërkurën ka filluar debati për punën e tribunaleve ndërkombëtare për krime të luftës.

Raportohet se shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë bojkotuar këtë debat, për të cilin kritikët thonë se paraqet përpjekje të Serbisë për t’i sulmuar vendimet gjyqësore për rolin e saj në luftërat në Ballkan në vitet '90.

Shqyrtimin në temën “Roli i drejtësisë penale ndërkombëtare në realizimin e pajtimeve”, e kishte caktuar kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq, ish - ministër i Jashtëm i Serbisë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, deklaroi se nuk mund të realizohet paqe, pajtim dhe zhvillim pa promovimin e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe bëri thirrje që puna e gjyqeve ndërkombëtare të mos vihet në pikëpyetje. Ndihma dhe mbështetja për tribunalet ndërkombëtare do të thotë se nuk vihet pikëpyetje në punën e tyre dhe që ato të ruhen nga ata, që dëshirojnë ta rrëzojnë për shkak se kanë më tepër lidhje me politikë se sa me drejtësi, tha Ban Ki-moon

Shtetet e Bashkuara i kanë prirë bojkotit të takimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për drejtësinë ndërkombëtare, duke e vlerësuar si “të pabalancuar” dhe “përçarës”.

Vendet e tjera, përfshirë Kanadanë, po ashtu i janë shmangur takimit, në të cilin presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i ka krahasuar gjykimet në Hagë me inkuizicionin.

Sipas tij, “kontributi i Hagës në disa raste ishte i dukshëm”, por “hije të rëndë dhe serioze në punën e gjithë gjykatës hedh fakti se liderët politikë të vetëm një pale - të asaj serbe - në Hagë kanë ardhur si të akuzuar, ndërsa nga ajo janë larguar si fajtorë”.

Vendet evropiane i kanë dërguar vetëm diplomatët ose zyrtarët e rangut të ulët në këtë takim, që nuk mbahet në sallën kryesore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zëdhënësja e misionit të Shteteve të Bashkuara në OKB, Erin Pelton, ka thënë se “Shtetet e Bashkuara fuqishëm nuk pajtohen me vendimin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të mbajtur një debat tematik të pabalancuar dhe përçarës për rolin e drejtësisë penale ndërkombëtare në pajtim dhe nuk do të marrë pjesë”.

Tribunalet ndërkombëtare për Ruandë, ish-Jugosllavi, Siera Leone dhe Kamboxhia, “kanë qenë kritike për përfundimin e pandëshkueshmërisë dhe i kanë ndihmuar këto vende të krijojnë një të ardhme të re dhe më pozitive”, tha Pelton, dhe shtoi se “në veçanti, shprehim keqardhje se ashtu siç është strukturuar mënyra e debatit të sotëm tematik dhe diskutimi i ndërlidhur në panel, kanë dështuar të mundësojnë që viktimat e këtyre mizorive të paraqiten me zë përkatës”.

Jeremiq, president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka refuzuar që të lejojë pjesëmarrjen e grupit "Nënat e Srebrenicës", që përfaqësojnë familjet e afro 8 mijë djemve e burrave myslimanë, që janë vrarë në masakër, thanë diplomatët.

Siç raportoi agjencia AFP, Jeremiq i kishte refuzuar disa kërkesa nga vendet perëndimore për ta ndryshuar datën dhe formatin e këtij diskutimi.

Përgatiti: Fatmir Bujupi