Çollaku: Serbia vazhdon të mbetet peng i së kaluarës

Qeveria e Kosovës, ilustrim

Këshilltari i lartë i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku tha se vendimi i Qeverise së Serbisë për të mos e pranuar marrëveshjen e ofruar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është edhe një dëshmi që "Serbia ende vazhdon të mbetet peng i së kaluarës dhe nuk po e gjën forcën për të ecur përpara".

“Megjithatë, unë konsideroj që ky vendim i sotshëm do të jetë një vendim i përkohshëm që ka marrë Serbia, sepse në të njëjtën kohë ka kërkuar nga ndërmjetësuesi, në këtë rast nga baronesha Ashton, që sa ma shpejt të rifillojnë negociatat e mëtutjeshme për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Çollaku, për Radion Evropa e Lirë.

Çollaku është shprehur optimist se në ditët e ardhshme baronesha Ashton, do të këshillohet dhe do të bëjë rekomandimet dhe veprimet adekuate se si do të zhvillohen gjërat më tutje.