Krasniqi: Serbia prapë humb rastin

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Kryekuvendari Jakup Krasniqi ka thënë të hënën se nuk ka pritur që bisedimet e fundit, mes Kosovës dhe Serbisë, do të ndryshojnë qasjen e Beogradit karshi Prishtinës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Krasniqi tha se gjatë periudhave të kaluara, kur Prishtina dhe Beogradi janë ulur për të negociuar të ardhmen dhe paqen, pala serbe nuk shfrytëzoi rastin, sikur e humbi sot, me refuzimin publik që bëri zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq.

“Me Beogradin, edhe atëherë kur jemi marrë vesh, nuk jemi marrë vesh dhe fatkeqësia është se ne nuk jemi marrë vesh asnjëherë me këtë shtet, as në konferencën e Rambujesë, as pas bisedimeve të Vjenës dhe natyrisht nuk kam pritur se do të dalë diçka më e mirë, e më e mbarë as nga këto bisedime”, tha ai.