Koreja e Veriut “në gjendje lufte” me Jugun

Koreja e Veriut



Koreja e Veriut ka thënë se është në “gjendje lufte” me Korenë e Jugut.

“Marrëdhëniet ndërkoreane janë në gjendje lufte dhe të gjitha çështjet midis dy Koreve do të trajtohen në përputhuje me rrethanat”, thuhet në deklaratën që kanë transmetuar mediat shtetërore në Phenjan.

Deklarata, e cila u atribuohet organeve dhe institucioneve qeveritare të Veriut, po ashtu thotë se “situata as në paqe, as në luftë në Gadishullin Korean tashmë ka marrë fund”.

Ajo paralajmëron se çdo provokim ushtarak do të rezultonte me “konflikt në shkallë të plotë dhe me luftë bërthamore”.

Armëpushimi i vitit 1953 ka sjellë fundin e luftës koreane, por dy Koretë kanë mbetur teknikisht në luftë.

Qeveria e Koresë së Jugut ka thënë se deklarata e Veriut është “vazhdim i kërcënimeve provokuese”.

“Kërcënimet e vazhdueshme të Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut, duke thënë se është në gjendje lufte, janë të papranueshme, sepse dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë jugkoreane të Mbrojtjes, Kim Min-seok.

Ministria e Unifikimit, e cila trajton lidhjet politike me Korenë e Veriut, ka bërë të ditur se parku industrial Kaesong, i cili drejtohet bashkërisht, është duke operuar normalisht, me punëtorë dhe autmojete duke kaluar kufirin.

Në Uashington, zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Caitlin Hayden, ka vënë në pah se Koreja e Veriut “ka histori të gjatë të retorikës dhe kërcënimeve luftarake” dhe se “njoftimi i sotëm pason një model të njohur tashmë”.

Ajo po ashtu ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërmarrin “masa shtesë kundër kërcënimit verikorean”.

Tensionet në Gadishull janë rritur prejse Koreja e Veriut ka kryer provën e tretë bërthamore muajin e kaluar, duke çuar në vendosjen e sanksioneve të reja kundër saj.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se situata mund të rrëshqasë në krizë.

“Jemi të shqetësuar se, përkrah reagimit adekuat të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe reagimit të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar, po ndërmerren veprime të njëanshme rreth Koresë së Veriut, të cilat rrisin aktivitetin ushtarak”, ka thënë Lavrov.


Ai i ka bërë këto komente pasi lideri verikorean, Kim Jong Un, ka urdhëruar ushtrinë që të vërë në gjendje gatishmërie raketat për sulme në Shtetet e Bashkuara dhe në bazat ushtarake në Paqësor dhe Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të sulmojë caqet në Korenë e Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara qysh në fillim të muajit mars, kur dy aleatët kanë nisur stërvitjet ushtarake.

Të mërkurën, ajo ka paralajmëruar se “lufta mund të shpërthejë në çdo moment”.(v.t.)