Lavrov: Tensionet K. Veriore – SHBA, mund të dalin jashtë kontrollit

Pamje e aeroplanit B-2

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka tërhequr vërejtjen se përshkallëzimi i tensioneve ndërmjet Koresë Veriore dhe Shteteve të Bashkuara, mund të dalin jashtë kontrollit dhe ka kërkuar nga të gjitha palët e involvuara në këtë situatë të rrezikshme të tregojnë përmbajtje.

Këto komente u bënë pasi Koreja Veriore ka shpallur se i ka vënë njësitet raketore në gjendje gatishmërie për sulme kundër tokës së Shteteve të Bashkuara dhe bazave amerikane ushtarake në Paqësor dhe në Korenë Jugore.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, u tha sot gazetarëve në Moskë se “ne mund të shohim thjeshtë që situata të dalë jashtë kontrollit, dhe të kemi një qark të rrezikshëm”.

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka urdhëruar gatishmërinë e sistemit raketor të këtij vendi mbrëmë vonë, pas fluturimeve të aeroplanëve bombardues luftarakë amerikanë të tipit B-2, mbi gadishullin korean.

Raportohet se zoti Kim ka thënë se “ka ardhur koha që të sqarohen gjërat me imperialistët e SHBA-ve”.