Bizneset i shmangen tatimit

Ilustrim

Kosova ka shkallën më të lartë të shmangies së tatimit në rajon, thonë përfaqësues të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Kjo, sipas tyre, vjen si pasojë e inspektimit të pamjaftueshëm të ndërmarrjeve, politikave fiskale jo favorizuese dhe lidhjeve të ngushta në mes ndërmarrjeve dhe zyrtarëve, apo grupeve partiake.

Arbëresha Loxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë se kompanitë të cilat iu shmangën tatimit, dalin në treg më produkte më të lira, duke dëmtuar në këtë mënyrë konkurrencën e ndërmarrjeve të cilat paguajnë obligimet tatimore.

“Ekonomia jo formale, nxitet nga dobësia e politikave të shpenzimit, mungesës së zbatimit të ligjit si dhe korrupsionit dhe nepotizmit", thotë Loxha për Radion Evropa e Lirë.

Prezenca e shmangies së tatimit është në nivel të lartë, thotë edhe Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike.

Dhe kjo shmangie, sipas tij, kryesisht ndodh te kompanitë e mëdha, të cilat dëmtojnë në masë të madhe buxhetin e Kosovës.

Unë jam ithtar i asaj, se një rigorozitet më i madh i të gjitha institucioneve që merren më inkasimin e mjeteve për arkën e shtetit do të mund të shtonte të paktën edhe 20 për qind buxhetin aktual, apo të hyrat aktuale që i ka shteti i Kosovës”, thekson Gashi.

Edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se ka raste kur tatimpaguesit nuk janë të përgjegjshëm karshi obligimeve tatimore, por që administrata ndëshkon kompanitë e tilla.

Valentina Bytyqi- Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar ATK-ja, ka lëshuar afër tetë mijë gjoba për personat që iu kanë shmangur tatimit.

“Sigurisht që në çdo segment ka persona që mundohen t'i ikin tatimit, mirëpo ATK- ja ka planet operative dhe në bazë të planeve dhe ligjit në fuqi për ATK, ekzekuton edhe ndëshkimet për personat të cilët fshehin ose vonojnë deklarimin e tatimeve

"Vitin e kaluar, ATK-ja ka zhvilluar një mori kontrollash dhe listash përmbushjes, në ç’rast të parregullsive të gjetura, duke përshirë këtu edhe shmangien nga tatimi, fshehje të tatimit dhe raste të ngjashme, janë lëshuar 7,791 gjoba", shprehet Bytyqi - Sefa .

Në anën tjetër, numri i bizneseve që kanë deklaruar tatimin mbi vlerën e shtuar në vitin 2012, sipas zyrtarëve ATK-së, është 10,833 ndërsa të hyrat e grumbulluara vetëm nga TVSH-ja, arrijnë në 129.9 milionë euro.