Thaçi: Intervenimi i NATO-s ishte në mbështetje të lirisë

Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se intervenimi i NATO-s kundër pranisë së regjimit të Serbisë në Kosovë ishte në mbështejte të lirës së popullit të Kosovës.

“Katërmbëdhjetë vite më parë, Aleanca veriatlantike e NATO-s intervenoi në Kosovë kundër pranisë së dhunshme të aparatit shtetëror serb në Kosovë. Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë zgjidhja e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të lirisë së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi”, theksoi Hashim Thaçi.

Mëtutje, në njoftimin nga Zyra e kryeministrit, thuhet se “Aleanca e perëndimit për lirinë e Kosovës ishte rikonfirmim i fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, një luftë në mbrojtje të vlerave më kulmore të qytetërimit botëror”.

Zoti Thaçi konsideron se “në këtë ditë të shënimit të këtij përvjetori të madh, kujtojmë me nderimin dhe respektin më të lartë institucional sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata janë themelet e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës”.

Tash, sipas Thaçit, një dekadë e gjysmë më vonë, Republika e Kosovës është shtet i konsoliduar demokratik, në rrugë të sigurtë drejt integrimit në BE dhe në NATO, një shtet i tolerancës etnike, qytetare, politike, me një angazhim institucional për forcimin e bashkëpunimit rajonal.