“Brezovica” - kërkon investitorë botërorë

Brezovica

Kompleksi turistik “Brezovica”, që gjendet në komunën e Shtërpcës, nuk do të privatizohet me metodën klasike, por do të zhvillohet me një plan strategjik.

Kështu u tha në një takim të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me anëtarë të interesuar dhe potencialë të të gjitha subjekteve ekonomike në vend.

Në këtë takim, gjithashtu, u bë e ditur se është shtyrë afati për të aplikuar për shprehje të interesit, deri më 2 prill të këtij viti.

Zhvillimi qendrës turistike “Brezovica”, konsiderohet si projekt i rëndësisë kombëtare, thelbësor për zhvillimin ekonomik të komunës së Shtërpcës, por edhe për zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë kosovare, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

“Studimet e fizibilitetit dhe vlerësimi i tregut për ‘Brezovicën’, afirmojnë potencialin tërheqës për kthimin financiar. Në kuadër të zhvillimit të projektit, të drejtat do t’i jepen për një zhvillim 99 vjeçar, një proces ky standard i njohur ndërkombëtarisht, për të ndërtuar dhe zhvilluar objekte me përdorim të përzier, duke përfshirë hotele, objekte banimi dhe objekte komerciale në Parkun nacional të mbrojtur”, tha Kusari-Lila.

Ministrja Kusari- Lila sqaroi se të gjitha objektet pas privatizimit mund të ndërrojnë titullarin, por pronare do të mbetet Qeveria e Kosovës, gjegjësisht komuna e Shtërpcës.

“Brezovicën jemi duke e zhvilluar me një plan strategjik dhe shpresojmë të gjejmë partnerë strategjikë. Prona e tokave, qofshin të Komunës apo të Qeverisë, gjegjësisht agjencive të caktuara, do të mbetet gjithmonë me pronarët e saj. Ne japim vetëm leje shfrytëzimi. Objektet mund të ndërrojnë titullarin, megjithatë toka, malet dhe gjithë pjesa zhvilluese, do të mbeten në pronë të Qeverisë, gjegjësisht Komunës së Shtërpcës”, deklaroi Kusari-Lila.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, tha se qëllimi i këtij projekti është që t’i rikthehet emri që dikur ka pasur qendra e skijimit në Brezovicë.

“Qëllimi i parë është që të gjejmë një operator të njohur botëror të turizmit dimëror, i cili është i gatshëm të investojë së paku 100 milionë euro në ndërtimin e hoteleve, terreneve të skijimit, teleferikut dhe të gjitha objekteve tjera përcjellëse”, u shpreh Nikolliq, duke shtuar se komuna e Shtërpcës nuk është e gatshme të kontraktojë ndonjë kompani dosido për t’i bërë këto punë, por me një kompani të njohur dhe me përvojë në këtë fushë.

Kompleksi turistik “Brezovica” gjendet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe, ndërsa përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi, kanë filluar qysh në vitin 2006.

Qeveria e Kosovës tashmë ka publikuar tenderin ndërkombëtar, për t’i dhënë një operatori apo konsorciumi të drejtat e zhvillimit të mbi tre mijë hektarëve, siç është thënë, për të projektuar, ndërtuar dhe financuar qendrën turistike “Brezovica”, që pretendohet të jetë e nivelit botëror në Parkun Kombëtar të Sharrit.