SHBA: Mirëpritet oferta e Shqipërisë për pranimin e iranianëve

Victoria Nuland

Shtetet e Bashkuara mbrëmë e kanë mirëpritur ofertën nga Shqipëria, për t’i pranuar 210 anëtarë të një grupi opozitar iranian, që aktualisht jetojnë në një ish bazë ushtarake amerikane në Irak.

Uashingtoni ka kërkuar nga Muxhahedinët e Popullit në Iran, që menjëherë ta pranojnë ofertën “bujare” të Tiranës, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland.

Ajo e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, “për gjest humanitar për dhënien e strehimit të sigurt për këta individë”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, poashtu, ka kërkuar që pjesëtarët e grupit opozitar iranian, që jetojnë në një ish bazë ushtarake afër Bagdadit në Irak, ta pranojnë ofertën e Shqipërisë për azil.

Ban Ki-moon ka kërkuar nga vendet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara, që të lejojnë që Shqipëria të udhëheq dhe të ofroj azil për pjesëtarët e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, ka njoftuar zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Eduardo del Buey.