Jahjaga: Debati në Kuvend për rastin Kiçina, precedent i keq

Atifete Jahjaga

Presidenca e Republikës së Kosovës e sheh si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit debatin në Kuvendin e Kosovës, për atë që njihet si rasti "Kiçina".

Në një përgjigje me shkrim, dërguar Radios Evropa e Lirë, nga zyra e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, thuhet se "debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës për një rast gjyqësor konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e punës së gjykatave, sepse Kuvendi i Kosovës nuk e ka as mandatin e as mekanizmat për ballafaqimin me prova".

"Ky rast është një precedent i keq dhe shkelje e vet rregullores së Kuvendit për vënien në rend të ditës për raste të tilla".

Në të thuhet gjithashtu se "është mirë që debati nuk ka prodhuar asnjë efekt praktik".

"Republika e Kosovës është shtet i rendit dhe i ligjit me pushtetet e ndara legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Pavarësia e Gjyqësorit është një nga vlerat e shoqërisë sonë demokratike dhe garant i funksionimit të sistemit".

"Ndarja e pushteteve kontribuon edhe në luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative në shoqëri që janë pengesë për zhvillimin demokratik dhe të ardhmen tonë".

"Kuvendi si organi më i lartë ligjvënës pikërisht duhet ta mbrojë dhe ta ruajë pavarësinë e institucioneve të pavarura të gjyqësorit", thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentes së Kosovës.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar sot ndaj vendimit të Kuvendit për të debatuar mbi formimin e një komisioni për të hetuar shkeljet procedurale në këtë rast gjyqësor.

Vëllezërit Arben dhe Jeton Kiçina, si dhe Arsim dhe Burim Ramadani, po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burgim.

Ata akuzohen se në vitin 2001, në Baicë të Drenasit, kanë vrarë ish-inspektorin e policisë, Hamzë Hajrën, bashkë me katër anëtarë të familjes së tij.

Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.