Ambasada Amerikane: Debati për rastin Kiçina dobëson institucionet

Ilustrim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar sot ndaj vendimit të Kuvendit të Kosovës për të debatuar për një çështje gjyësore, përkatësisht rastin Kiçina.

Debati i së premtes vetëm se konfirmoi kritikat e disave se udhëheqësit politikë të Kosovës tentojnë të ndikojnë në procedurat e sundimit të ligjit dhe të minojnë pavarësinë e gjyqësorit. Debati i vazhduar i Parlamentit për një çështje gjyqësore tashmë të gjykuar i shërben vetëm dobësimit të mëtutjeshëm të institucioneve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Vëllezërit Arben dhe Jeton Kiçina, si dhe Arsim dhe Burim Ramadani, po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burgim.

Ata akuzohen se në vitin 2001, në Baicë të Drenasit, kanë vrarë ish-inspektorin e policisë, Hamzë Hajrën, bashkë me katër anëtarë të familjes së tij.

Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndaj debatit të Kuvendit të Kosovës për këtë rast, ka reaguar edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, i cili njëherësh është Përfaqësues Special i BE-së.

"Unë besoj se janë përdorur të gjitha rrugët ligjore dhe se kjo çështje konsiderohet e mbyllur. Në raste të tilla, Kuvendi duhet të mos angazhohet në asnjë veprim, i cili mund të interpretohej si përpjekje për të ndikuar ose përmbysur ndonjë vendim gjyqësor, si dhe përpjekje për të influencuar perceptimin e gjykatësve për pavarësinë e tyre në raste të tjera në të ardhmen”, ka thënë Zhbogar.

Të martën, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të debatojë për formimin e një komisioni ad hoc për verifikimin e shkeljeve procedurale dhe të drejtave dhe lirive të njeriut në rastin Kiçina.

Disa deputetë të opozitës kanë thënë se kjo është ndërhyrje në gjyqësor.(v.tela)