Shqipëria strehon 210 individë të grupit MEK

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Shqipëria do të ofrojë strehim për arsye humanitare për 210 individë të grupit MEK (Mojahedin-e-Khalq), të cilët aktualisht ndodhen në kampin Liria në Irak.

Kjo do të bëhet në përgjigje të kërkesës që Shtetet e Bashkuara i kanë artikuluar edhe sot kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, gjatë një takimi që ai ka zhvilluar me zëvendës-ndihmëssekretaren amerikane në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, dhe përfaqësuesin e posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, ambasadorin Martin Kobler.

UNHCR-ja u ka dhënë disa rezidentëve të kampit Liria statusin e refugjatit dhe po bashkëpunon me Qeverinë shqiptare për t'iu gjetur atyre zgjidhje të sigurt, të garantuar dhe humane.

Sipas kryeministrit Berisha, sikundër i është premtuar ish-sekretares së shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Tiranë dhe Qeverisë së SHBA-së, Qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për të ofruar strehim për arsye humanitare për një numër të kufizuar prej 210 personash.

Berisha ka theksuar se ata janë të mirëpritur dhe do t’iu krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.

Sipas Zyrës sa Shtypit të kryeministrit, zëvendës-ndihmëssekretarja amerikane ka falënderuar Berishën, si dhe ka vlerësuar "lidershipin që ai po dëshmon edhe për këtë çështje, si një mik i vërtetë i SHBA-së".

Nga ana e tij, ambasadori Martin Kobler i ka shprehur kryeministrit Berisha mirënjohjen edhe në emër të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, si "për bujarinë që Qeveria shqiptare po dëshmon në këtë rast, edhe për faktin që Shqipëria po u tregon vendeve të tjera një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë e të suksesshëm ndërkombëtar, në emër të vlerave të jetës e të humanizmit".

Pas pranimit te 5 ujgurëve në vitin 2006 nga burgu i Guantanamos, ky është rasti i dytë që Qeveria shqiptare i përgjigjet pozitivisht kërkesës amerikane për strehimin e personave të tillë.