Fëmijët sirianë përdoren si mburoja njerëzore

Siri

Organizata ndërkombëtare “Save the Children” ka tërhequr vërejtjen se gjithnjë e më shumë fëmijë sirianë janë duke u rekrutuar nga grupet e armatosura të të dyja palëve në konfliktin e Sirisë.

Në raportin e publikuar thuhet së fëmijët janë duke u përdorur si roje, informatorë, luftëtarë e madje edhe si mburoja njerëzore.

“Në disa raste, fëmijë të moshës tetë vjeç janë përdorur si mburoja njerëzore”, thekson raporti.

Sipas tij, rreth dy milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë në Siri, pasi konflikti dyvjeçar ka prekur të gjitha aspektet e jetës së tyre.

“Familjet e tyre janë duke luftuar për ushqim, pasi mungesat e tij kanë bërë që çmimet të shkojnë përtej mundësive të familjeve të varfra”, thuhet në raport.

“Save the Children”, po ashtu, thekson se shumë fëmijë kanë humbur qasjen në kujdesin shëndetësor dhe jetojnë në kushte johigjienike, ku rreziku i sëmundjes është i lartë.

Edukimi i tyre është ndërprerë pasi rreth 2,000 shkolla janë dëmtuar nga luftimet ose janë bërë streha të përkohshme për njerëzit e zhvendosur, vë në pah raporti.

“Fëmijët sirianë janë viktima të harruara, që përballen me vdekje, trauma dhe vujatje, dhe janë të privuar nga ndihmat themelore humanitare”, thuhet në të.

Hulumtuesit në Turqi kanë gjetur se një ndër katër fëmijë sirianë të intervistuar, ka humbur një anëtar të dashur të familjes si pasojë e luftimeve.

“Nuk mendoj se ka një fëmijë të vetëm të paprekur nga lufta. Secili ka parë vdekje, secili ka humbur dikë. Nuk njoh askënd që nuk ka vuajtur”, citon raporti një fëmijë me emrin Safa.

“Save the Children” apelon për ndihmë ndërkombëtare, por thekson se “e vetmja mënyrë për të ndaluar vuajtjen, është fundi i luftës”.

Raporti i kësaj organizate u bën jehonë konstatimeve të ngjashme që ka bërë të martën Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara – UNICEF.

Kjo e fundit ka paralajmëruar për një brez të humbur në Siri, duke thënë se fëmijë nën 18 vjeç po rriten duke mos ditur asgjë përveç dhunës dhe se ata po vuajnë trauma që mund t’iu mbesin për tërë jetën.

Konflikti civil në Siri kanë nisur në mars të vitit 2011. Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 70,000 njerëz kanë humbur jetën në dy vjet luftime. (v.t.)