Partitë politike, nxitëse të tensioneve në Maqedoni

Shkup, e premte 8 mars 2013

Marrëdhëniet ndëretnike janë mjeti i vetëm dhe më i rëndësishëm i partive politike për të përfituar, kush më pak, e kush më shumë, në cikle të ndryshme zgjedhore. Kështu komentojnë nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike dhe drejtues të organizatave joqeveritare, lidhur me incidentet, të cilat, sipas tyre ngrihen dhe ulen varësisht interesave partiake.

Incidentet dhe çështje tjera ndëretnike, janë bërë pjesë edhe e fjalimeve të partive politike në fushatën elektorale, në vend të ofrimit të platformave për zgjidhjen e problemeve në nivel të pushtetit lokal.

“Është e dëmshme dhe për të ardhur keq se si politikanët i keqpërdorin të rinjtë për konfrontime ndëretnike, por kjo është bërë praktikë në Maqedoni dhe është shumë vështirë që të çrrënjoset apo të hiqet nga agjenda e politikanëve, që i keqpërdorin për arritjen e qëllimeve të tyre. Ne, jemi në fushatë zgjedhore dhe mund të pritet gjithçka nga partitë politike”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

Xhabir Deralla, nga organizata joqeveritar, “Civil”, thotë se partitë janë nxitësit më të mëdhenj të situatave.

Fushata zgjedhore e partive politike që ka filluar para një jave dëshmon se partitë “armën” më të fuqishme para elektoratit, e kanë patriotizmin dhe nacionalizmin.
Nacionalizmi është mjet, me të cilin ata mund të tërheqin vëmendjen nga paaftësia, përkatësisht nga veprimi kriminal i partive politike.

“Nacionalizmi është mjet, me të cilin ata mund të tërheqin vëmendjen nga paaftësia, përkatësisht nga veprimi kriminal i partive politike. Ato, me çdo çmim duan të fitojnë vota dhe këtë po e arrijnë në mënyrën më të lehtë të mundshme duke ngritur tensione, duke i ikur përgjegjësisë dhe duke hedhur fajin te bashkësia tjetër etnike”, vlerëson Deralla.

Ndërkohë, Jonuz Abdullahu, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se partitë në Maqedoni, jo vetëm që tentojnë të tërheqin vëmendjen nga problemet reale përmes inskenimeve të ndryshme, por ato, në raste të caktuara, merren edhe me çështje ndërkombëtare.

“Në mungesë të ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve, partitë politike mendojnë se kanë të drejtë të përzihen dhe në politikën e Ban Ki Moonit, e mos të flasim për atë që ndodh këtu rreth politikës së BE-së. Kanë shkuar aq larg sa që nga qytezat tona bëhet politikë shumë e madhe".

"Besoj se në këto zgjedhje do të vijë një garniturë që do t'u ofrojë shërbime qytetarëve, ose të paktën të kenë mundësinë të ulen për t'i qarë hallet nga shkaku se komuna dhe kryetari i komunës duhet të jetë njeriu më i afërt me qytetarët dhe jo të kritikojë çdo gjë dhe të mendojë se çdokush ka faj, përveç atij”
, thekson Abdullahu.

Sipas ekspertëve, zgjedhjet e tanishme do të tregojnë nëse shoqëria është pjekur apo se sa janë vetëdijesuar qytetarët t'i japin fund kësaj nevoje të partive që me çdo mënyrë të fitojnë sa më shumë vota.

Qeveria, vitin e kaluar, kishte harxhuar 575 mijë euro për fushatën e promovimit të vlerave të bashkëjetesës ndëretnike dhe ndërfetare.

Përmes spoteve, bilbordeve dhe reklamave të ndryshme, qytetarët janë ftuar që të jenë më tolerantë, por, sipas ekspertëve, fushata të këtilla nuk do të kenë asnjë vlerë dhe, madje, do të jenë dëmshme, nëse qeveria dhe subjektet që duhet t'i zbatojnë ato, nxisin situatën vetëm për të përfituar politikisht.