SHBA s’do Republika Sërpska në Kosovë

Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër kompetencave ekzekutive për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, shkruajnë mediat serbe.

Tanjug citon një zyrtar të lartë të administratës në Uashington të ketë thënë se SHBA-ja nuk kundërshton asociacionin e komunuave, por nuk do zgjidhje të ngjashme me atë të Republika Sërpskës në Bosnjë.

Beogradi zyrtar kërkon formimin e një asociacioni, i cili do të kishte kontroll mbi gjykatat, policinë dhe arsimin, por Prishtina zyrtare kundërshton kompetencat legjislative dhe ekzekutive për të.

Për një organ të tillë është duke u biseduar në Bruksel, në kuadër të bisedimeve midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Ndërmjetësuesja e këtyre bisedimeve, kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, do të vizitojë Prishtinën më 14 mars, ndërsa krerët më të lartë të shtetit serb do të qëndrojnë në Bruksel të hënën.

Është thënë se Ashton “do të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve“.