Mësues, nxënës, profesorë dhe edukatorë gjithandej në Kosovë, po shënojnë sot 7 Marsin, atë që njihet si Dita e Mësuesit
Kjo ditë është zgjedhur për të shënuar këtë ngjarje për nder të hapjes së mësonjtores së parë në gjuhë shqipe në Korçë, 126 vjet më parë.
Përvjetori i mësonjtores së parë shqipe, ndryshe simbolizon rilindjen e shqiptarëve dhe luftën e tyre për identitet kombëtar.
Fusha e arsimit në përgjithësi në Kosovë vlerësohet të jetë përballë një procesi sfidues të reformimit dhe në kërkim të një niveli më cilësor të shkollimit.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, në një ceremoni të organizuar për nder të Ditës së Mësuesit, theksoi se Fakulteti i Edukimit, i cili përgatit mësimdhënësit e ardhshëm, është duke bërë përpjekje për të shtyrë përpara reformimin e sistemit të edukimit.
“Misioni ynë si mësimdhënës është të çojmë përpara vizionin për reformimin e vazhdueshëm të sistemit tonë të edukimit me përkushtim dhe profesionalizëm. Gjithashtu, ne jemi përgjegjës që të bëjmë të mundur edhe realizimin e kornizës së re kurikulare të Republikës së Kosovës, që tërë dijen e bazon në kompetenca”, tha Çeku.
Në Kosovë janë gjithsej 1200 objekte shkollore të ciklit fillor dhe të mesëm, në të cilat mësimin e vijojnë mbi 450 mijë nxënës, nën kujdesin e mbi 23 mijë mësimdhënësve. Mësimdhënësi në Kosovë sot paguhet mesatarisht mbi 250 euro në muaj.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ndërkaq vlerësoi se Kosova ka punonjës të mirë arsimorë, të cilët bëjnë që gjenerata të tëra të shënojnë arritje në fushën e dijës, duke u bërë konkurrentë në tregun evropian të dijes.
Mësuesit kosovarë në këtë ditë nderohen për kontributin e tyre për arsimimin dhe edukimin e brezave të tërë. Nga viti i kaluar Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ndan çmimin vjetor “Shaban Jashari”.
Merita Haxhiu, mësimdhënëse në Shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, është nderur me këtë çmim.
“Që në ditët e para të punës time si mësimdhënëse, e kisha parasysh se po shkoj në një rrugë të një misioni të shenjtë, siç është edukimi dhe arsimimi. Si mësimdhënëse, aq sa kam kënaqësi, kam edhe shumë përgjegjësi”, u shpreh Haxhiu.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, përmendi ditët e rëndë të arsimit gjatë viteve ‘90 dhe reformat arsimore që janë duke u bërë.
“Kemi hartuara kurikulat e reja, jemi në formësim dhe aprovim të kurikulave bërthamë, jemi në transformim të Fakultetit të Edukimit dhe duke e transformuar Fakultetin e Edukimit, me moton të bëjmë mësuesin e ri të epokës së re, ne transformojmë të gjitha fakultetet. Nëse kemi mësuesin e mirë, ne kemi inxhinierin e mirë, pilotin e mirë , mjekun e mirë dhe gjithë të tjerët të mirë”, deklaroi Buja.