Shërohet një foshnje e lindur me HIV

Ilustrim

Sipas disa shkencëtarëve një foshnje e lindur me virusin e AIDS-it duket se është shëruar në saje të një trajtimi më të shpejtë dhe më të fuqishëm se sa që është e zakonshme për një të sapolindur.

Shkencëtarët në një konferencë të mbajtur lidhur me sëmundjen e AIDS-it, deklaruan se fëmija nga Misisipi është mbi moshën dy vjeçare dhe ka qenë jashtë trajtimit me barna kundër HIV për rreth një vit dhe nuk ka treguar shenja të infeksionit.

Tregimi i fëmijës shënon rastin e parë që një foshnje arrin shërimin që duket të jetë i plotë, dhe quhet kurë funksionale.

Në raste të tilla pacienti arrin shërim të përkohshëm pa pasur nevojë që të vazhdojë të marrë vazhdimisht barna dhe analizat normale të gjakut tregojnë se virusi nuk po e kopjon veten.

Doktoresha Deborah Persaud, një virologe në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore bëri një përshkrim të kurës.

Përcjellja e rezultateve të laboratorit në 23 muaj tregoi se analiza standarde virale tregoi një ngarkesë të pavërejtshme në më pak se 20kopje për mililitër. Atëherë analizat janë përsëritur duke menduar se kemi të bëjmë me gabim laboratorik. Një test i përsëritur dy javë më vonë përsëri tregoi më pak se 20 kopje për mililitër”, u shpreh Persaud.

Shkencëtarët thanë se duhet të kryhen edhe analiza të tjera për të përcaktuar nëse trajtimi do të ketë efektin e njëjtë edhe te fëmijët tjerë.

Rasti mund të ndryshojë mënyrën e rrezikshme se si janë trajtuar foshnjet. Kjo gjithashtu mund të çojë në kurë potenciale për fëmijët me HIV, virusi që shkakton AIDS-in.

Në përsëritjen e fundit të analizave nuk kemi zbuluar replikimin e virusit, 10 muaj pasi që foshnja nuk ka marrë terapi anti-retrovirale. Fëmija mbetet jashtë terapisë anti-retrovirale dhe është duke u bërë mirë. Pra, ne besojmë se ndoshta fillimi i hershëm i terapisë anti-retrovirale pengon formimin e rezervuarëve viralë në kujtesën qelizore CD4T, që paraqesin pengesë për një kurë, dhe me të vërtetë përcakton bazën për një agjendë shërim pediatrik”, tha Persaud.

Nëse fëmija mbetet i shëndetshëm, kjo do të shënojë shërimin e dytë nga kjo sëmundje, të raportuar në botë. Specialistët thonë se kjo kurë ofron të dhëna premtuese për më shumë hulumtime për të luftuar HIV-in pediatrik.