Shkup: Lëvizje e reduktuar e qytetarëve, prani e shtuar e policisë

Shkup, e shtunë 2 mars 2013.

Pas protestave të së shtunës në Shkup, që eskaluan në dhunë ndërmjet policisë dhe protestuesve, të dielën gjendja në kryeqytet është e qetë.

Nëpër rrugët e Shkupit vërehet lëvizje e reduktuar e qytetarëve, ndërsa në udhëkryqet kyçe - prani më e shtuar e pjesëtarëve të policisë.

“Momentalisht, nuk ka kurrfarë incidentesh apo prishje të rendit dhe qetësisë publike. Gjatë natës, gjendja është normalizuar në tërësi”, deklaron zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ai paralajmëron masa adekuate për të gjithë personat e ndaluar, e për të cilët ekzistojnë dëshmi se kanë qenë të përfshirë në incidente gjatë ditës së shtunë.

Nga Ministria e Brendshme njoftojnë se në protestat e dhunshme janë lënduar edhe disa pjesëtarë të policisë, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale, si djegie makinash, demolime të vend-stacioneve të transportit publik, si dhe në një rast është djegur edhe një autobus, si dhe janë shkaktuar dëme tjera materiale nëpër rrugët ku marshonin protestuesit.

Protesta e qindra të rinjve shqiptarë një ditë më parë, kishte për qëllim shprehjen e revoltës ndaj protestës paraprake të të rinjve maqedonas, gjatë të cilës u sulmuan brutalisht shumë të rinj shqiptarë, kalimtarë rasti.

Protesta e të rinjve maqedonas dhe e organizatës “Dinjiteti”, që tubon ish-pjesëtarët maqedonas të forcave të sigurisë nga viti 2001, u mbajtën në shenjë revolte ndaj emërimit të Talat Xhaferit, ish-komandantit të UÇK-së, për ministër të Mbrojtjes.

Lidhur me zhvillimet e së shtunës, përmes një komunikate, të dielën ka reaguar Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, duke shprehur keqardhjen e thellë për atë që ndodhi rrugëve të Shkupit, por edhe për, siç thuhet, manipulimin e opinionit shqiptar dhe vënien e tyre në shërbim të arsyetimit të politikave të dëmshme të partive maqedonase.

“Tërbimi i disa grupeve huligane maqedonase ndaj disa shqiptarëve në asnjë mënyrë nuk e justifikon dhunën te shqiptarët. Dje, shqiptarët e sinqertë dhe të ndershëm që deshën të shprehin revoltën ndaj ndodhive të këtyre ditëve, u mashtruan dhe u manipuluan. Protesta e sinqertë ndaj dhunës, u shndërrua në dhunë nga një grup i vogël njerëzish".

"Autorët e keqpërdorimit të protestës së djeshme, dihen botërisht, sepse e përsëritën sërish skenarin e njëjtë të keqpërdorimit të protestave të qeta të qytetarëve, sikurse në rastin 'Monstra', në muajin maj të vitit të kaluar”,
deklaroi Bekim Hoxha, nga Lëvizja Qytetare “Zgjohu”.

Ndërkohë, protestat e një dite më parë janë përcjellë edhe me polemika të ashpra ndërmjet partive politike shqiptare.

PDSH-ja opozitare ka braktisua punimet e Kuvendit kur duhej të debatohej për marrëveshjen që i dha fund krizës politike. Kjo parti tha se nuk mund të jetë e qetë dhe të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, në kohën kur rrugëve të Shkupit rrihen brutalisht fëmijët, pleqtë e gratë shqiptare, ndërsa për këtë akuzoi direkt kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe partnerin e tij të koalicionit, kryeministrin Nikolla Gruevski.

Por, veprimet e opozitës janë vlerësuar si formë e marketingut parazgjedhor nga BDI-ja në pushtet, e cila ka siguruar opinionin se dhunuesit e shqiptarëve do të përgjigjen para drejtësisë.

Ndryshe, sipas vlerësimeve të njohësve të marrëdhënieve ndëretnike, protestat e ditëve fundit të fundit të përcjella me incidente, kanë përkeqësuar edhe më shumë raportet ndëretnike, edhe ashtu të brishta në vend