Shaip Kamberi: Lugina kërkon reciprocitet

Shaip Kamberi

Ish-kryetari i komunës së Bujanocit thotë se aq sa e njeh Serbinë, dyshon se ajo do të ndalet veç me një fond të posaçëm për katër komunat veriore të Kosovës, dhe pret që Asociacioni i komunave veriore, t’u sigurojë serbëve kompetenca ekzekutive. Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, porosit se kryeministrit serb, Ivica Daçiq, nuk i zihet besë, edhe kur flet për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kamberi, ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se liderët e Luginës së Preshevës duhet të përpilojnë një lloj propozimi konkret për krijimin e një asociacioni, të njëjtin që po kërkojnë serbët dhe Beogradi për katër komunat veriore të Kosovës. Si e kuptoni këtë porosi?

SHAIP KAMBERI
Edhe pa deklarimin e zotit Kuçi, ne ka një periudhë disavjeçare që në vazhdimësi po kërkojmë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë. Mund të themi se nuk ka hasur në ndonjë mirëkuptim të mjaftueshëm, kërkesa jonë, në autoritetet e Kosovës.

Kërkesa e reciprocitetit ka të bëjë me krijimin e institucioneve rajonale të shqiptarëve, që do të kishin kompetenca ekzekutive në sferat, të cilat janë veçori dhe karakteristikë për të drejtat e shqiptarëve dhe për rajonin në përgjithësi. Por, në të gjitha takimet që kemi pasur, nuk mund të themi se kemi pasur një përkrahje të mjaftueshme në këtë aspekt.

E tash, sigurisht se ndërrimet, situata e re që është krijuar me bisedat e Brukselit, ndoshta ka detyruar autoritetet e Kosovës që të mendojnë në këtë drejtim edhe për shqiptarët e Preshevës.

Sido që të jetë, ne jemi në ato qëndrime, dhe mendojmë që paqja në këtë pjesë të Ballkanit mund të arrihet duke krijuar standarde unike për komunitetet, apo pakicat. Kemi qenë gjithmonë dhe jemi kundër krijimit të pakicave të privilegjuara, çfarë po tentohet të bëhet me serbët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A i bie, pra kjo të jetë arsyeja se pse Prishtina nuk flet më për Luginën e Preshevës, është se çështja e Luginës së Preshevës, nuk ekziston më si çështje?

SHAIP KAMBERI
Jo besoj se Prishtina, është gjetur në një situatë të vështirë politike në arenën ndërkombëtare. Nuk ka dashur të luajë rolin e faktorit destruktiv, sepse në një instancë do të akuzohej nga Serbia se po përzihet në çështjet e brendshme të Serbisë. Dhe, duke luajtur rolin e faktorit konstruktiv, ka dashur të jetë edhe një palë konstruktive në dialog.

Megjithatë, u pa se me Serbinë mund të bisedohet vetëm në nivel të kërkesave të barabarta, sepse sado që ti dëshiron apo sillesh në mënyrë konstruktive, Serbia vështirë e ka të largohet nga rruga e saj e programeve të ndryshme, sa i përket Kosovës dhe shqiptarëve, në përgjithësi. Edhe kryeministri Daçiq në deklarimet e veta të fundit, pas krizës së lapidarit, ka thënë publikisht se ai preferon konceptin e ndërrimit të territorit.

Por, ajo që është e papranueshme në këtë koncept, është se Ivica Daçiq mendon në ndërrimet që kanë të bëjnë vetëm me Preshevën, pa përfshirë edhe Bujanocin. Për shqiptarët e Luginës së Preshevës e vetmja mundësi e ndërrimeve, do të ishte vendosja e kufirit të vitit 1912.

Koncepti më i mirë është që përmes krijimit dhe respektimit të parimit të reciprocitetit, pra ajo që do të krijohet si institucion me kompetenca politike apo ekzekutive për serbët e Kosovës, të jetë e aplikueshme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, dhe mendoj se do të jetë zgjidhja më paqësore, dhe zgjidhja më e drejtë në këtë moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të përfitojë ky asociacion i komunave veriore serbe të Kosovës, sipas jush?

SHAIP KAMBERI
Ai tashmë ka përfituar, sa i përket fondit të veçantë që është krijuar, mendoj se ka përfituar. Tash nuk është e qartë ende, sa i përket kompetencave ekzekutive që i ka ky asociacion, do të shihet në bisedat e mëtejshme, edhe pse të gjitha sinjalet që vijnë nga Serbia, janë se pa ndonjë marrëveshje konkrete, vështirë se do të shpërbëhen strukturat paralele.

Prandaj, në këtë aspekt, mund të pritet që asociacioni i komunave të veriut, përveç fondit të veçantë të garantuar, të fitojë edhe kompetenca të caktuara ekzekutive. Tash për nivelin e tyre, nuk mund të flasim, nuk ka ndonjë indikacion se çfarë do të jenë. Por, nëse kjo veç ndodh dhe Kosova pajtohet me këtë, atëherë në tavolinën e bisedave, sigurisht se duhet të shtrohet edhe çështja e diçkaje të ngjashme me Luginën e Preshevës.

Është shumë e qartë në këtë moment, se realizimi i asaj që është shprehur në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 (tash po bëhen 21 vjet, pra në ditën e sotme po shënohet 21-vjetori), vështirë se mund të pritet të realizohet në këtë moment. Prandaj, asociacioni i komunave, apo bazuar në parimin e reciprocitetit për të drejtat e serbëve në Kosovë, është diçka e kapshme dhe e mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
E, si ishte 21 vjet më parë në kohën e referendumit në Luginë të Preshevës, krahasuar me gjendjen e sotme?

SHAIP KAMBERI
Absolutisht se ka dallime. Sigurisht në këtë aspekt, ka ndryshime pozitive, por megjithatë në krahasim me atë që është premtuar, posaçërisht pas përfundimit të luftës së armatosur, dhe me trendët e integrimeve evropiane që po zhvillohen, me atë që po marrin serbët në Kosovë, ne jemi larg aspiratave tona.

Në këtë drejtim, pakënaqësia jonë po shprehet në çdo takim, në çdo moment që është dhënë mundësia, dhe tërë kohën ne kemi kërkuar nga Beogradi, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të jetë më efikase në përmbushjen e obligimeve që Serbia ndaj shqiptarëve, i ka marrë në vitin 2001, dhe ka vazhduar edhe në vitet e tjera, duke injoruar ato obligime dhe ato kërkesa legjitime të shqiptarëve që po shtrohen për vite me radhë.