Cilësia e produkteve vendore

Ilustrim

Produktet, të cilat prodhohen në Kosovë vazhdojnë të mos e kenë fituar ende besimin e plotë nga konsumatorët, pavarësisht faktit se shumica nga këto prodhime plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve.

Sipas tyre, prodhimtaria vendore në Kosovë është në drejtim të duhur, por duke ecur me hapa të ngadalshëm drejt marrjes së tregut. Ata thonë se ende mungon vetëdijesimi dhe informimi i duhur i kosovarëve për cilësinë e produkteve vendore.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç vetëdijesimit dhe informimit të qytetarëve, mungon edhe një mbështetje institucionale për prodhimet vendore.

“Prodhimtaria në Kosovë ka filluar pas luftës. Shumë produkte prodhohen në Kosovë, po fatkeqësisht nuk po arrijnë të marrin tregun e Kosovës për arsye të konkurrencës. Konkurrenca është e ashpër, e padrejtë dhe jo në kushte të barabarta me produktet që importohen dhe kjo për arsye se politikat tregtare, prodhuese dhe fiskale në vendet e tjera e që e kanë tregun Kosovës, janë shumë më të favorshme se në Kosovë”, shpjegon Shahini.

Bizneset prodhuese, shton Shahini, duhet të investojnë edhe në publik, duhet të bëjnë marketing për produktet e tyre, pasi që, siç thotë ai, në këtë mënyrë do të jenë më afër konsumatorit.

Fakti se importi i produkteve ushqimore nga vendet e ndryshme të botës vazhdon të mbetet shumë i lartë, tregon se prodhimet vendore konsumohen më pak nga qytetarët e Kosovës.

Sidoqoftë, disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se parapëlqejnë produktet vendore, e në veçanti, pas rastit të fundit, kur u urdhërua largimi nga tregu i disa llojeve të qumështit të importuar dhe produkteve të tyre, të cila, sipas analizës së parë, kanë rezultuar si të dyshimta.

Qëndresa Gashi thotë se konsumon prodhimet vendore dhe se mendon se janë më cilësore se ato që importohen.

“Janë më cilësore produktet tona se sa të huajat, sidomos pas lajmeve të fundit që kishte të bënte më qumështin që dyshohej në cilësinë e tij”, thotë ajo.

Ngjashëm mendon edhe Fjolla:

“Konsumoj produktet vendore. Më të mira janë produktet tona se sa ato që importohen dhe që i konsumojmë”, thotë ajo.

Ndërsa, Gafurr Sylejmani mendon se tani produktet vendore kanë filluar të jenë më cilësore.

“Më shumë iu besoj produkteve vendore sesa produkteve të huaja. I preferoj edhe i blej. Nuk kanë qenë shumë cilësore, por tani janë më të mira”, thotë ai.

Nivelin e ulët të konsumimit të produkteve vendore e thekson edhe Selatin Kaçaniku nga organizatat joqeveritare “Konsumatori”. Sipas tij, arsyet e moskonsumimit të prodhimeve vendore janë nga më të ndryshmet.

“Ne pretendojmë se fajtori kryesor është mospërmbushja e obligimeve të institucioneve të shtetit karshi konsumatorit. Këto obligime janë edukimi, informimi dhe vetëdijesimi i konsumatorit për të konsumuar produkte vendore”, shprehet Kaçaniku.