Jep dorëheqje Qeveria e Bullgarisë

Përleshjet e protestuesve me policinë në Sofje

Qeveria e Bullgarisë ka dhënë dorëheqje, pas disa ditësh protesta kundër çmimeve të larta të energjisë dhe standardeve të këqija të jetesës.

“Nuk do të marr pjesë në qeverinë, policia e së cilës rrah popullin”, ka thënë kryeministri Boyko Borisov.

Disa protestues janë lënduar në përleshjet e së martës me policinë në Sofje.

Protestat, të cilat janë zhvilluar edhe në të paktën katër qytete të tjera, kanë qenë më të mëdhatë në 15 vjet dhe kanë ndodhur vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të korrikut.

Borisov ka shkarkuar ministrin e Financave të hënën dhe ka thënë se do të revokojë edhe licencën e kompanisë çeke për shpërndarjen e energjisë elektrike.

“Është populli ai që na ka vënë në pushtet dhe ne po ia kthejmë atë atij”, ka thënë sot Borisov, duke bërë publike dorëheqjen e qeverisë.