Thellohet kriza politike në Maqedoni

Shkup...

Një ditë para skadimit të afatit ligjor për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjet lokale, po bëhet gjithnjë e më e qartë se opozita do t'i bojkotojë zgjedhjet e 24 marsit.

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, ka refuzuar një kërkesë të opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve për një muaj dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për 29 shtator, nëse në zgjedhjet lokale opozita fiton një votë më shumë se partia në pushtet.

VMRO-DPMNE, përmes një komunikate, ka thënë se LSDM-së mund t’i jepen vetëm 3 deri 4 ditë afat shtesë, aq sa parashihet me ligj, për dorëzimin e listave të saj, në të kundërtën, ajo edhe një herë, sipas partisë së Gruevskit, “do të dëshmojë se nuk i intereson e ardhmja e vendit, por interesat e ngushta të liderit të saj, Branko Cërvenkovski”.

Por, propozimi i këtillë është kundërshtuar nga opozita, e cila paraprakisht tha se ka dalë me propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 28 prill, duke pasur parasysh interesat shtetërore dhe rrezikun që i kanoset vendit për bllokimin e mëtejmë të procesit integrues.

“Nëse nuk pranohet ky propozim, ne do t’i bojkotojmë zgjedhjet lokale, kurse deputetët tanë do t’i dorëzojnë mandatet e tyre në Kuvend. Nëse ky plan dy pikësh pranohet, atëherë deputetët e opozitës do të kthehen në institucionin ligjvënës, pasi prania jonë është e domosdoshme për shpalljen e zgjedhjeve me 2/3 e votave”, u shpreh, lideri i opozitës, Branko Cërvenkovski.

Ndërkohë, mosarritja e marrëveshjes për zgjedhjet, ka nxitur reagime edhe më të ashpra nga faktori ndërkombëtar.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richardt Howitt pas takimeve që zhvilloi me drejtuesit e institucioneve në Shkup, tha se kriza politike do të ketë pasoja të rënda ndaj procesit integrues dhe se Maqedonia rrezikon seriozisht që të marrë raport negativ.

“Shpresoj se njerëzit këtu do t’i kenë të qarta pasojat nëse pas katër rekomandimeve pozitive për fillimin e bisedimeve me BE-së, do të merrni rekomandim negativ. Çështja e një raporti të këtillë negativ nuk do të jetë përgjegjësi njërit apo subjektit tjetër politik, por përgjegjësi e gjithë shtetit. Porosia ime deri te qeveria është se ajo ka përgjegjësi për të zgjidhur krizën së bashku me të gjitha partitë tjera politike”, deklaroi Howitt.

Ndërkohë, një njoftim nga zyra e komisionarit për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, bën të ditur anulimin e vizitës së tij të paraparë për javën e ardhshme në Maqedoni.

“Komisionari Fyle është i frustruar nga mungesa e progresit për zgjidhjen e krizës politike. Tani është e domosdoshme që liderët politikë të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje duke i vendosur në plan të parë interesat e shtetit dhe të qytetarëve të tyre”, transmetojnë mediat, një deklaratë të Petar Stanos, zëdhënës i komisionarit Fyle.

Nga ana tjetër, në bllokun politik shqiptar, të premten, dy ministra nga radhët e BDI-së, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, pas kandidimit për zgjedhjet lokale: zëvendëskryeministrja për Çështje Evropiane, Teuta Arifi, e cila do të kandidojë për komunën e Tetovës, dhe ministri i Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta, i cili në garë do të futet për komunën e Gostivarit.

“Duke mos dashur të keqpërdor pozitën si ministër i Pushtetit Lokal në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 24 mars, unë sot jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Me këtë unë e respektoj vullnetin e shumicës së qytetarëve, respektoj vullnetin e partisë, respektoj demokracinë”, ka deklaruar Bejta.

Ndërkohë, Teuta Arifi në paraqitjen e saj para mediave është shprehur e bindur se do të jetë femra e parë që do të drejtojë një komunë të banuar me shqiptarë.

Nga ana tjetër, PDSH-ja opozitare tashmë ka caktuar kandidatët për zgjedhje, të cilët edhe zyrtarisht do të prezantohen të shtunën në Shkup në Kuvendin kryesor të partisë.