Cilësia e dobët rrezikon të ardhmen

Ilustrim

Cilësia e ulët e arsimit, si në institucionet parauniversitare, ashtu edhe në ato universitare, mbetet një ndër shqetësimet kryesore për njohësit e kësaj fushe dhe prindërit e nxënëseve të cilët ndjekin mësimet në shkollat publike të Kosovës.

Ata thonë se cilësia e dobët në arsim po rrezikon të ardhmen e Kosovës.

Reformat e bëra përgjatë viteve në sistemin arsimor, kanë dështuar në tërësi, për arsye, siç thotë ai, mos përgatitjeve paraprake për të aftësuar njerëzit që do të bëjnë zbatimin e atyre reformave, bën të ditur eksperti i çështjeve të arsimit Halim Hyseni.

Ata të cilët janë marrë me reforma nuk kanë qenë njerëz të cilët kanë pasur njohuri të mjaftueshme të teorisë së ndryshimeve në arsim dhe janë udhëhequr nga mendja e pashkolluar, nuk kanë marr pjesë persona të shumtë të cilët do të duhej të merreshin pjesë në ndryshime".

"Kur mendoj në persona të shumtë, them se në këto reforma nuk janë përfshirë mësimdhënësit e Kosovës, në këto ndryshe nuk kanë qenë të përfshirë nxënësit, prindërit si dhe ekspertë të arsimit vendor”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Problem tjetër që ka bërë që Kosova të ketë nivel të ultë të cilësisë në arsim, sipas Halimit është edhe politizimi i arsimit, infrastruktura e dobët, e cila nuk krijon mundësi që të dilet nga ky kaos.

Çështja e cilësisë së arsimit, thotë Hyseni, duhet të shtrohet si çështje edhe në Kuvendin e Kosovës si dhe formimi i një komision nacional për ndryshime në arsim.

Në anën tjetër, reformat e bëra në sistemin arsimor edhe nga prindërit e nxënësve në Kosovë shihen si të dështuar.

Cilësia e arsimit, vlerësojnë ata, ende ka mbetur nën nivelin e dëshirueshëm.

Albana Nikqi, nënë e një nxënësi që ndjek mësimet në një shkollë publike në Kosovë, tregon për Radion Evropa e Lirë se nuk është aspak e kënaqur me nivelin arsimor.

Sa i përket cilësisë së arsimit në vendin tonë, unë si prind mendoj se nuk jemi në nivelin e duhur. Ndoshta kemi kërkesa të mëdha edhe ndaj mësimdhënësve edhe ndaj fëmijëve tanë".

"Kushtet në shkolla nuk janë të plotësuara aq sa duhet nuk mendojnë se cilësia ka arritur në nivelin e duhur. Kemi ndoshta profesorë apo mësues që janë me nivel të ulët të shkollimit, dhe po ai nivel i mëson fëmijët tanë”, shprehet ajo.

Reformat ë bëra gjatë këtyre viteve, thotë ajo, nuk kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të cilësisë në arsim.

Megjithatë, Nikqi shpreson se me disa ndryshime që pritet të ndodhin gjatë këtij viti në sistemin arsimor do të ketë përmirësime.

Po shpresoj që me planprogramin e ri, i cili ende nuk ka filluar të zbatohet në shkollat tona, do të eliminohen disa gjëra të tepërta, që janë në librat e fëmijëve tonë dhe disa lëndë që janë tepër për moshën e fëmijëve”, shprehet ajo.

Mirëpo, ndryshe nga vlerësimet e këtyre të fundit shprehen zyrtarë të Agjencisë për Akreditim e Kosovës, agjenci kjo e cila vlerëson cilësinë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.

Basri Muja, nga kjo agjenci, tregon se që nga paslufta, arsimi i lartë në Kosovë ka kaluar nëpër disa faza.

Kosova, tregon ai, është ndër vendet e para e cila ka filluar të zbatojë reformën që ka dalë nga deklarata e Bolonjës.

Sipas tij, në fillim të zbatimit të reformave në arsim ka pasur probleme dhe defekte, por që me kalimin e kohës janë bërë ndryshime në të mirë të arsimit në Kosovë.

Nga viti 2008 është vërejtur një përmirësim përmbajtjesor si tek institucionet private ashtu edhe publike. Kjo ka pasur të bëjë me përmirësimin e vazhdueshëm të planprogrameve të tyre. Mund të them të se të gjithë planprogramet që janë në aplikim në Kosovë janë të krahasueshme me ato të institucioneve arsimore më prestigjioze evropiane”, bën të ditur Muja për Radion Evropa e Lirë.