"Pleqtë shteti nuk i do"

Prishtinë

Në Kosovë, 7 për qind e popullsisë së përgjithshme është e përbërë nga persona të moshës mbi 65 vjeçare.

Edhe hulumtimet e fundit të bëra nga vetë institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregon se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë e varfërisë.

Pensionistët kosovarë vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që të
rrisin pensionet për të gjitha kategoritë, duke përfshirë edhe pensionet e pleqërisë.

Sahit Dragaj kryetar i Partisë se Pensionistëve, siç e quan ai, shuma e quajtur si pension, thotë se nuk i mbulon as shpenzimet elementare të artikujve ushqimorë për ekzistencë, pa llogaritur detyrimet tjera që kanë pensionistët. Andaj ai këtë situatë e vlerëson si të mjerueshme për pensionistët.

"Edhe pse është bërë një rritje vitin e kaluar për 26. 5 për qind apo për 21 euro, dhe nga 1 janari i këtij viti për 11 euro, pensionistët kontribut pagues marrin nga 112 euro, kurse pensionistët e moshës nga 60 euro, dhe me këtë shumë nuk mbulohen as shpenzimet elementare", thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Zoti Dragaj kërkon nga institucionet kompetente, që sa më parë të rregullohet statusi juridiko- ekonomik i pensioneve të Kosovës, dhe siç thotë ai të "nxirret Ligji për Pensionistë dhe Invalidë, t’i kthehet dinjiteti dhe të ruhet personaliteti i pensionistëve dhe invalidëve të punës".

Për gjendjen e tyre socio-ekonomike, pensionistët flasin për Radion Evropa e Lirë.

Behxhet Osmani, 85 vjeçar, thotë pensioni që ai merr nuk i mjafton as për barna.

"Është e turpshme të mos ketë interesim për pleqtë. Ne kemi mbetur shumë keq. Unë blej dy herë në muaj barna, edhe rrymën e paguaj, edhe asgjë nuk me mbetet për ushqim me pensionin që e marr. Ne jemi në gjendje shumë të keqe".

Derisa Shaban Krasniqi, 70 vjeçar thotë se Qeveria e Kosovës aspak nuk mendon për përmirësimin e mirëqenies së pensionistëve.

"Unë mendoj se udhëheqësit nuk mendojnë për pensionistë, por as për popullin në përgjithësi. Mendojnë më shumë për vete, dhe për xhepat e vet. Ne jemi në gjendje shumë të keqe ekonomike. Me 60 euro ta kalosh muajin është bërë e pamundur".

Disa prej tyre kanë ndjenjën se ata nuk i do askush.

Muharrem Berisha, 85 vjeçar, thotë se tashmë kanë ndryshuar kohërat, dhe as nga institucionet, por as nga vetë familja nuk e ka përkujdesjen e duhur.

"I kam 85 vjet dhe ka ardhur kjo situatë, që të moshuarit shteti nuk i do hiq. Fëmijët i kam të martuar, i kanë familjet e veta, dhe nuk po kanë mundësi t'i ndihmojnë pleqtë. Është bërë jeta shumë e vështirë për neve. Kemi punuar shumë gjatë, tërë jetën, rininë, që ta kemi një pleqëri të mirë, por ja se si na erdhi pleqëria. Mos me pas para as për barna".

Sidoqoftë, kjo kategori e shoqërisë, sidomos në vitet e fundit, po përballet me gjendje të rëndë dhe se sipas pensionistëve, institucionet përgjegjëse duhet merren seriozisht me këtë çështje.

Derisa, përmes protestave të ndryshme, pensionistët kanë kërkuar rritje të pensioneve deri në 60 për qind të vlerës së pagës mesatare në Kosovë, apo deri në 250 euro në muaj.