Ambasada e SHBA-ve fuqishëm e dënon përdhosjen e varrezave

Ambasadorja amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson

“Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë fuqishëm e dënon përdhosjen e varreve në varrezat e Fushë Kosovës”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Mëtutje, kjo ambasadë thekson se “aktet e tilla janë anatemë e vlerave të një shteti demokratik dhe shumëtnikë” dhe i “inkurajon të gjithë qytetarët që të flasin hapur kundër këtyre akteve të mjerueshme dhe të bashkohen rreth idealeve të respektit të ndërsjellë dhe tolerancës, që janë të mbrojtura nga Kushtetuta e Kosovës”.

“Mirëpresim faktin që Qeveria e Kosovës e ka dënuar këtë vandalizëm si dhe reagimin e parë të Policisë së Kosovës ndaj incidentit. Ambasada e SHBA-ve do të vazhdojë të përcjellë hetimin e Policisë së Kosovës nga afër, duke pritur që kryesit e veprës të bihen para drejtësisë”, thuhet në fund të kumtesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, me rastin e dëmtimit të varrezave ortodokse serbe në Fushë Kosovë.